Tragjedia në Gjermani, çka dihet për vdekjen tragjike të dy vëllezërve nga Kosova

Gjermania

Tragjedia në Gjermani, çka dihet për vdekjen tragjike të dy vëllezërve nga Kosova

Më: 14 tetor 2020 Në ora: 08:55
Pamje nga vendi i ngjarjes

Dy vëllezër nga komuna e Deçanit janë goditur dje për vdekje nga treni në një qytet të Gjermanisë. Sipas njoftimit të mediave gjermane, njëri nga vëllezërit është 13 vjeç ndërsa tjetri 17.

Bazuar në informacionet e para, të dy të rinjtë po tentonin që të kapnin trenin i cili ishte në stacion, për këtë arsye të dy kishin vrapuar drejt shinave. Ata u goditën nga një tren që po vinte drejt Mynihut dhe lëndimet e marra ishin fatale pas goditjes.

Detaje se si ka ndodhur rasti kanë dhënë edhe nga Policia e Gjermanisë.

Image

“Ngjarja ka ndodhur në orën 7:30 të mëngjesit. Fëmijët kanë kaluar shiritin i cili ishte i vendosur në mënyrë që të kapin një tren, por një tjetër i cili ishte në anën e kundërt, ka ardhur dhe i ka shkelur. Me rastin tani po merret Policia”, tha oficeri i Policisë që është në vendin e ngjarjes.

Drejtuesi i trenit donte të fillonte një frenim emergjence, por ishte tepër vonë, tha zëdhënësi i policisë.

Image

Dëshmitarë të shumtë okularë, përfshirë disa studentë të shkollës së mesme, vëzhguan aksidentin fatal.

Për aksidentin tragjik në Gjermani ku humbën jetën dy vëllezër me prejardhje nga Deçani, ka reaguar edhe Ambasada e Kosovës në Gjermani.

Në postimin e ambasadës thuhet se po bëhet çdo gjë për t’i qëndruar pranë familjes Arifaj.

“Ambasada e Republikës së Kosovës i shpreh ngushëllimet familjes Arifaj. Bashkë me Konsullatën e Përgjitshme të Kosovës në Bavari, Ambasada është duke bërë çdo gjë që familjes Arifaj t’i qëndrojmë pranë në këto çaste të vështira.

Edhe kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së dy vëllezërve nga Deçani në rrethana tragjike në Gjermani.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Haradinaj  ka deklaruar se janë në kontakt me autoritetet gjermane dhe presin sqarimin e kësaj tragjedie.

“Me rastin e vdekjes tragjike të personave B.A dhe H.A (13 dhe 17 vjeçar) në Gjermani, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për prindërit e familjarët, si dhe qytetarët e Deçanit dhe Kosovës.

Ambasada e Kosovës në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Bavari janë në kontakt me autoritetet gjermane për t’u sqaruar kjo tragjedi e rëndë. Jeta jashtë vendlindjes në këto rrethana din të jetë shumë e rëndë, dhe jemi duke bërë çdo gjë që familjes t’u gjindemi pranë në këto çaste të vështira”, ka shkruar Haradinaj.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Ramosaj ka thënë se Deçani është tronditur rëndë nga tragjedia që ndodhi në Bruckberg afër Münchenit të Gjermanisë, derisa i ka shprehur ngushëllime familjes Arifaj.

“Për Deçanin dhe qytetarët e Deçanit është rast i rënd dhe ditë zie tejet pikëlliese tragjedia që i ndodhi familjes Arifaj nga Ratishi i Epërm i kësaj komune. Ngushëllime familjes dhe të gjithë qytetarëve për këtë rast tejet të rëndë”, ka thënë ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat