Shtetasit shqiptarë kryesojnë listën e të dëbuarve nga Gjermania në vitin 2020

Gjermania

Shtetasit shqiptarë kryesojnë listën e të dëbuarve nga Gjermania në vitin 2020

Më: 11 mars 2021 Në ora: 11:23
Foto

Numri i të dëbuarve në total në vitin e pandemisë 2020 ishte  trefish më i ulët se në vitet e mëparshme. 

Nga 10800 shtetas të huaj të kthyer me detyrim nga Gjermania në vitin e kaluar, 1006 ishin shtetas nga Shqipëria, prej të cilëve 926 janë kthyer në Shqipëri. Kësisoj Shqipëria renditet e dyta pas Gjeorgjisë (928) në listën e vendeve pritëse të refugjatëve të kthyer me detyrim nga Gjermania. Kjo del në pah nga një përgjigje e qeverisë gjermane ndaj grupit parlamentar E Majta në Bundestag. Gati një e katërta (2626) e të gjitha dëbimeve të bëra vitin e kaluar kanë pasur si destinacion Ballkanin Perëndimor. Në Serbi janë dëbuar 719, në Maqedoninë e Veriut 404, në Kosovë 300, në Bosnje-Hercegovinë 169 e në Mal të Zi 109. 

Një e pesta të mitur

Në përgjithësi duhet thënë se numri i të dëbuarve në total, në vitin 2020 ka qenë trefish më i ulët se në vitet e mëparshme. Përafërsisht një ndër gjashtë te dëbuarit vitin e kaluar ishte i mitur. Në kthimet e bëra në Shqipëri madje të miturit (234) përbënin një të katërtën, ndërsa Maqedoninë e Veriut, më shumë se një të tretën (145): Shifrat e të miturve të kthyer në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: në Kosovë 62, Serbi 227, në Mali të Zi 44, dhe në Bosnje-Hercegovinë 45. 

Mbi 1571 shqiptarë të kthyer në kufi

Në dokumentin e qeverisë gjermane jepen shifra edhe për kthimet e bëra qysh në kufi, numri i të cilëve në total ishte 19600. Shtetasit shqiptarë janë të dytët (1571), pas rumunëve (1573). Shkaku kryesor i refuzimit të shtetasve shqiptare në kufi ka qenë mungesa e vizës ose lejes së qëndrimit.

Kthime vullnetare

Por numri i shqiptareve të kthyer nga Gjermania është shumë më i lartë. 6380 shtetas shqiptarë janë larguar nga Gjermania vitin e kaluar, 2006 syresh me një fletëkalim të thjeshtë. (Vendet e tjera të BP Serbia: 1228, MV: 1007, Kosova: 654, BH: 508).

E majta kërkon rregullim të lejes së qëndrimit

Organizatat në mbrojtje të refugjatëve kritikojnë në përgjithësi kthimet e detyruara në zonat me përhapje të lartë të virusit Corona. E majta kishte organizuar vitin e kaluar një fushatë kundër dëbimeve në kohë korone. Kjo bëri që qeveria t'i ndalte fillimisht dëbimet, deri në mesin e vitit të kaluar. Ato rinisën sërish, me pjesëmarrje të shoqatave ajrore, Lufthansa, Air Berlin dhe Bulgarian Air.  Ulla Jelpke, deputete e Majtë, në një deklaratë të në nxjerrë në media kritikon politikën e qeverisë dhe kërkon ndryshimin e ligjit për azilkërkuesit e refuzuar dhe të drejtë qëndrimi për personat me Duldung. 

Në një artikull në revistën Migazin, eksperti i imigracionit Hendrik Lammers,  nga IBIS Oldenburg, shkruan se gjysma e dëbimeve nëpër gjyqe vlerësohen si në kundravajtje me ligjet. Lammers kritikon sidomos politikën e dëbimit të të miturve, të cilët jo rrallë para se të dëbohen detyrohen të presin në burgjet e dëbimeve. /DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat