Flet mjeku nga Kosova në Gjermani, tregon a mund të kombinohen vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca

Gjermania

Flet mjeku nga Kosova në Gjermani, tregon a mund të kombinohen vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca

Më: 14 korrik 2021 Në ora: 20:20
Kujtim Pllana

Mbi 190 milionë persona janë infektuar në mbarë botën nga Covid-19 për më pak se dy vjet që kur ky virus u shfaq për herë të parë.

E, deri më tani mbi 4 milionë persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e këtij virusi.

Shumë shtete të botës për një kohë janë gjunjëzuar përballë këtij virusi infektues, duke mbyllur pothuajse gjithçka.

E në mesin e shteteve, të cilat kanë pasur numër të madh të vdekjeve dhe të infektuarve është edhe Gjermania.

Lidhur me situatën aktuale në këtë shtet ka folur mjeku nga Kosova i cili punon në Gjermani, Kujtim Pllana.

“Situata në Gjermani është e mirë dhe nën kontroll. Vaksinimi po ecën relativisht mirë dhe në mënyrë relativisht masive”, ka thënë ai.

Ndërsa, tregon se në Gjermani është paraqitur edhe varianti i virusit “Delta”, por se numri i të infektuarve është i vogël.

“Po është paraqitur para disa javësh, por ende me numër të vogël të të infektuarve”, është shprehur mjeku në Gjermani.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e përhapjes së virusit në vjeshtë, në rast se nuk ndodhë vaksnimi i qytetarëve.

“Nëse vazhdon me këtë trend të shpërndarjes po, për atë është shumë me rëndësi që të vaksinohen sa më shumë që është e mundur”, ka shtuar Pllana.

Por, pavarësisht kësaj deklaron se një grup i njerëzve në Gjermani po besojnë në teori konspirative sikurse që po ndodhë në secilin vend të botës dhe po hezitojnë të vaksinohen.

Ndërsa, i pyetur se a është efekti i ngjashëm i vaksinave dhe se a mund të ketë reaksione nëse në dozën e parë merret vaksina Pfizer e në të dytën AstraZeneca, Pllana ka thënë se ky është kombinimi më i mirë.

“Sipas studimeve të fundit kombinimi më i mirë është një dozë AstraZeneca një Pfizer, kurse sa i përket reaksioneve ato janë po aq të mundshme sikur të merret e njëjta vaksinë”, është shprehur Pllana.

Mjeku Pllana ka folur edhe për situatën me Covid-19 në Kosovë.

Sipas tij, Kosova është përgatitur mirë për vaksinimin e masës.

“Kosova është përgatitur relativisht mirë për vaksinimin e masës, por mua më shqetëson fakti që shumë njerëz hezitojnë ta marrin vaksinën për atë ju si media do të duhej të bëni më shumë në informimin e saktë që përveç vaksinimit nuk ka rrugë tjetër”, ka deklaruar Pllana.

E, sa i përket përfundimit të pandemisë, ai ka thënë se është vështirë të dihet një gjë e tillë, por siç duket jemi në fund.

Amerika prinë me numrin më të madh të të infektuarve, me gjithsej 34 milionë e 807 mijë e 813 raste.

E dyta radhitet India me 30 milionë e 946 mijë e 74 raste dhe pastaj Brazili me 19 milionë e 152 mijë e 65 raste.

Kujtojmë që edhe pse në shumë shtete është vaksinuar një numër i madh i popullsisë, po vazhdon të raportohet një numër i madh i rasteve të infektuara me koronavirus.

Me përhapjen e variantit Delta të këtij virusi, është ngritur shqetësimi se do të fillojë edhe një valë e re e pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat