Nesër varroset krijuesi, veprimtari e humanisti mërgimtar

Gjermania

Nesër varroset krijuesi, veprimtari e humanisti mërgimtar

Nga: Hasan Qyqalla Më: 25 gusht 2021 Në ora: 19:34
Fran Tanushi

Pas një sëmundje të shkurtë, të hënën ndërroi jetë krijuesi, veprimtari e humanisti Fran (Jozef) Tanushi që jetoi e veproi në Augsburg të Gjermanisë.

Fran Tanushi u lind në vitin 1963, në Novosellë të Gjakovës. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Gjakovë për të vazhduar studimet e larta për Filozofi dhe Sociologji në Fakultetin Filozofik në Prishtinë.

Që në moshën e rinisë, Tanushi reflektoi në lëvizjet studentore të kohës, si dhe në botën letrare e artistike të atyre viteve. Për shkak të rrethanave Frana, detyrohet të marrë rrugët e mërgimit. Vendoset në Augsburg të Gjermanisë. Që në fillim dallohet jo vetëm si aktivist e veprimtar i devotshëm, por edhe ideator e promotor i shumë aktiviteteve në interes të kauzës kombëtare. Afria, sinqeriteti dhe gadishmëria e tij, bëri që të jetë i dashur, i pranishëm dhe i respektuar nga komuniteti ynë e më gjërë.

F. Tanushi shquhet me krijimtari letrare në prozë e poezi, merret me studime historike, etnografi, monografi si dhe me publicistikë e pikturë. Poezitë e para i botoi gjatë viteve të '80-ta, në revistat e gazetat e asaj kohe. Kohë të gjatë themeloi dhe botoi revistën "LIBERTAS". Deri tani ka botuar këto libra me poezi: "JETA E CENZURUAR", botimet "Libertas", Prishtinë - Augsburg 2011; "ISHULLI IM" botimet "Saga", Prishtinë 2013; "SHKARPA", botimet "Geer", Tiranë 2015; "LA MIA ISOLA", botimet "Emal", Tiranë 2017; "SHKALLA E DIELLIT", botimet "Lena Grafik", Prishtinë 2018; si dhe "TEMPULLI I BRAKTISUR" (ku fitoi ÇMIMIN E PARË DR. IBRAHIM RUGOVA PËR ART DHE LETËRSI 2021), botimet "Lena Grafik", Prishtinë 2020. Fran Tanushin e gjejmë edhe si bashkautor në disa antologji poetike (me krijuesin Hasan QYQALLA), ku veçojmë "VARGJE PËR NËNËN"(kushtuar Shën Nënë Terezës), botimet "Lena Grafik", Prishtinë 2016; "MOTI I MADH" (kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut), botimet "Lena Grafik", Prishtinë 2018! Poezitë e tij janë përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja, si në anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, etj. Krijuesi Tanushi është fitues i shumë çmimeve, shpërblimeve e mirënjohjeve! Fran Tanushi për vite të tëra ishte nënkryetar i LSHAKSHGJ, pastaj prej themelimit të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) 2013-2019 sekretar ekzekutiv. Prej vitit 2019 ishte në postin e nënkryetarit të LKSHM-së.

Poeti, veprimtari e aktivisti i dalluar Fran Tanushi, varroset nesër në vendlindjen e tij në Novosellë të Gjakovës, në ora 12:00! I lehtë të qoftë dheu i Kosovës Fran (Jozef) Tanushi.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat