52-vjeçari gjerman udhëtoi me biçikletë nga Gjermania në Kosovë, por nuk e përmbushi synimin

Gjermania

52-vjeçari gjerman udhëtoi me biçikletë nga Gjermania në Kosovë, por nuk e përmbushi synimin

Më: 28 gusht 2017 Në ora: 19:25
Lars Franck

Gjermani 52-vjeçar Lars Franck udhëtoi nga Gjermania për në Kosovë, me biçikletë. Këtë udhëtim prej mbi 3 mijë kilometrash, ai e realizoi për 25 ditë. Synimi ishte mbërritja në dasmën e kolegut të tij të punës në Kosovë.

Lars Franck i kishte vënë një qëllim vetës: që të shkonte me biçikletë në dasmën e kolegut të tij të punës nga Kosova. Por, gjermani 52-vjeçar nuk e arriti qëllimin e tij, pasi kur mbërriti në Kosovë nuk mundi të gjente vendin ku zhvillohej dasma për shkak të humbjes së kontaktit me kolegun e tij.

Në një rrëfim për mediumin gjerman Kieler Nachrichten, Franck tregon për vështirësitë e udhëtimit me biçikletë.

“Në fillim, unë u drejtova për Liqenin e Konstancës në rrugën drejt jugut [të Gjermanisë v.j]”, tha Franck.

Gjermani nga qyteza Kaltenkirchen e Gjermanisë ndërtoi një ekskursion edhe në Lihtenshtajn, në udhëkryqin e Alpeve.  “Unë nuk kam qenë atje më parë,” tha ai.

Nga aty, ai u nis për në Itali, kur rrëfeu për vështirësitë me motin e nxehtë.

“Në mesditë kishte temperaturë deri mbi 30 gradë.” Djersa rrjedhte. Ai pinte deri në tetë litra në ditë për të kompensuar humbjen e lëngjeve. Sepse, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e tij, ai tregoi se rrugën e përshkoi më shpejtë se sa që e kishte planifikuar.

Pasi shkoi në Itali, ai mori një target nga bregdeti italian për të mbërritur në Korfuz. Nga Korfuzi kaloi në Shqipëri, dhe nga shteti shqiptar mbërriti në Kosovë.

Por, me të mbërritur në Kosovë, Lars Franck nuk e realizoi synimin për të cilin kishte udhëtuar: shkuarjen në dasmën e kolegut të tij nga Kosova.

Fakti që kolegu i tij e kishte përshkruar vendin në Kosovë shumë të pasaktë dhe fakti tjetër se nuk mundi të kontaktonte në telefon me kolegun e tij në Kosovë, bëri që arritja në dasmë të bëhej e pamundshme. “Kjo do të kishte qenë kremi mbi tortë”, tha Franck.

Nga Kosova, Franck u kthye në Gjermani me aeroplan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat