Klubi futbollistik “FC-Kosova-Weingarten” festoi 14 vjetorin e themelimit si dhe marrjen e titullit të kampionit

Gjermania

Klubi futbollistik “FC-Kosova-Weingarten” festoi 14 vjetorin e themelimit si dhe marrjen e titullit të kampionit

Nga: R. Elezaj Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 15:07
Klubi futbollistik “FC-Kosova-Weingarten”

Në lokalet e Shoqatës “Dardania e.V”  në Ravensburg-Gjermani, në praninë e shumë bashkatdhetarëve dhe simpatizuesve të shumtë të futbollit, mbrëmë u festua 14 vjetori i themelimit të ekipit shqiptar të futbollit si dhe marrja e titullit të kampionit në ligën “B” rajonale për Oberschwaben-Baden Württemberg, i cili me sukses ka garuar në mesin e mbi 20 ekipeve gjermane, duke arritur deri tek titulli i më të mirit në lojën e futbollit.

Ekipi kosovar i futbollit me iniciativën e shumë të rinjve tanë që jetojnë dhe veprojnë në qytetin Ravensburg-Weingarten me rrethinë (nga 65 qytete) në vitin 2004 me nismën dhe angazhimin e veçantë të z. Ruzhdi Baftiut, formuan ekipin kosovar të futbollit, i cili pranë shumë sfidave dhe vështirësive në aspektin organizativ dhe financiar, arriti të shënoi rezultate mjaft të mira garuese në një konkurrencë të ashpër me ekipet e shumta gjermane. Kështu që, për 14 vite ekipi ynë i futbollit me mund dhe përpjekje këmbëngulëse të futbollistëve tanë të talentuar, më në fund në sezonin garues 2017/18 arriti që ta zënë vendin e parë, duke u shpallur fitues i titullit “Meister”-Kampion në ligën “B” për të hyrë kështu një ligë më lartë, në ligën “A”, ku do të garojë në të ardhmen.

Image

Zotëri Bashkim Beluli, kryetar i klubit “FC-Kosova-Weingarten”, i gëzuar për arritjen e titullit të kampionit, ndër të tjera na tha; ishte një ditë e madhe për të gjithë neve fitorja dhe marrja e titullit të kampionit, sepse pas 14 viteve klubi ynë arriti ta marrë titullin “Meister-Kampion”, që pak kush e ka pritur. Kemi kaluar shumë sfida dhe kemi punuar shumë me e arritur këtë rezultat, sepse 14 vitet e kaluara kanë qenë të vështira për ekipin tonë për t’u ngjitur më në fund një ligë më lartë. Atë ditë kur u bëmë kampion i harruam të gjitha lodhjet, sepse falë djelmoshave tanë futbollistë të talentuar si dhe punës së palodhshme të trajnerëve z. Dugagjin Shala, kapiten dhe Timo Orenberg, për të qenë gjithmonë në fushën e gjelbër duke ushtruar me lojtarët, disiplinës në punë si dhe kryesisë së klubit, i falënderoj që të gjithë nga zëmra, sidomos dy sponsorët tonë z. Xhevdet Ajetin, Ajet Morinën dhe shumë aktivistë tjerë të cilët na kanë përkrahur pa rezervë financiarisht dhe materialisht që t’i arrijmë këto rezultate.

Me këtë rast duhet theksuar patjetër faktin, se Klubi futbollistik shqiptar “FC-Kosova-Weingarten” me angazhimin e pakursyer dhe lojën e mrekullueshme të futbollistëve tanë të ri dhe të përkushtuar në futboll, gjatë viteve të kaluara, ka qenë pa dyshim, shembulli më i mirë dhe faktori kryesorë nga radhët e mërgatës tonë në pjesën jugore të Gjermanisë, i cili në mënyrë të shkëlqyer dhe krenari kombëtare i ka afirmuar dhe prezantuar vlerat e sportit shqiptar të Kosovës në këtë mjedis të përparuar të shoqërisë gjermane.

Prandaj, për punën që e kanë bërë të gjithë bashkërisht, pa kursyer asgjë në ruajtjen dhe forcimin e imazhit pozitiv të shqiptarëve në Gjermani, meritojnë falënderime të veçanta, por edhe mirënjohje konkrete nga ana e qeverisë tonë, përkatësisht nga Ministria e diasporës!

Këtë mbrëmje festive me repertorin e këngëve të bukura e nderoi pa pagesë këngëtari i mirënjohur Fidaim Aliu së bashku me këngëtarin Elvis Krasniqi.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat