Takimi me Ismail Kadarenë

Gjermania

Takimi me Ismail Kadarenë

Nga: Hamza Halabaku Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 16:35
Ismail Kadare dhe Hamza Halabaku

Ditët e para të nëntorit të vitit 2008, në gazetat tona, që botoheshin në mërgatë, lexova se shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, do të paraqitej para lexuesve gjermanë në Munih.

Dëshira për të marrë pjesë në atë takim letrar dhe për t’u takuar me gjeniun e letrave shqipe, librat e të cilit i kisha lexuar gati një për një, më shtyri që menjëherë t’i telefonoja mësuesit të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, djalit të dajës tim, Nusret Dërguti, në mënyrë që së bashku të shkonim në Munih, për ta parë së afërmi autorin e shumë veprave të përkthyera në shumë gjuhë të botës.

Nusreti me kënaqësi pranoi dhe premtoi se do të organizoheshim dhe në ditën që Kadare do të ishte në Munih, aty do të ishim edhe ne.

Do të shkonim në Munih për ta takuar anë­tarin e Akademisë Franceze, e cila, bashkë me Kadarenë, ki­shte vetëm dymbëdhjetë anëtarë. Shkrimtari ynë, Kadare, në Akademinë Franceze kishte zënë vendin e Karl Popperit të Gjermanisë pasi ai kishte ikur në amshim.

Nuk kishin kaluar plot njëzet e katër orë, kur mësuesi Nusret më telefonoi dhe më tha se nuk do të shkonim në Munih, sepse Kadare do të vinte edhe më afër nesh.

Nuk u besova fjalëve të tij, pasi shpeshherë me mësuesin Nusret këmbejmë edhe batuta.

Por Nusreti e kishte seriozisht dhe më tregoi se Kadare do të vinte në Sulzbach-Rosenberg, që ishte 65-66 kilometra në afërsi të Nurembergut, qytetit ku ne banonim. Gëzimi u shtua edhe më shumë. Kaq afër nesh do të vinte Ismail Kadare, autori i romanit “Prilli i thyer”!

Pas dy tri-ditësh gazetat lokale gjermane do të shkruanin se “në Arkivin letrar të qytetit Sulzbach – Rosenberg, më datë 14 nëntor 2008, do të organizohet një mbrëmje kulturore – letrare. Në atë njoftim të gazetave lokale përmendej shkrimtari ynë, Ismail Kadare, si dhe titulli i librit në gjuhën gjermane “Der Raub des Königlichen Schlafs” (“Vjedhja e gjumit mbretëror”), që për lexuesit gjermanë do të promovo­hej atë natë.

O Zot i Madh, nga ajo ditë, kur e pashë njo­ftimin në gazetat lokale gjermane, nuk më zihej vendi-vend. Me shumë emocione e pritja ditën e katërmbë­dhjetë të atij nëntori.

Tani me mësuesin Nusret isha në kontakte të vazhdueshme. Si do të organizoheshim, si do të udhë­tonim, pastaj edhe kë do ta merrnim me vete, meqë kisha dëshirë që edhe dikush tjetër të kënaqej, si unë, me korifeun, tani të letërsisë që krijohej në tërë globin...

Dy-tri ditë para 14 nëntorit, i telefonova mikut tim shumë të mirë, Rushit Bytyqi, tani i ndjerë. Kisha dëshirë që me Rushitin të ishim bashkë në atë mbrë­mje kulturore – letrare, pasi që shumë herë kishim folur për veprat e Kadaresë dhe të mirat që ai i kishte bërë popullit shqiptar në botën e jashtme me letërsinë që ai krijonte. Do të takoheshim, si thoshim ne shpesh­herë në bisedat tona, me mbretin e letërsisë shqiptare. Do ta shihnim për së afërmi autorin e veprave, që, nëse cilëndo prej tyre fillon ta lexosh, kurrë nuk mund ta ndërpresësh pa e lexuar të tërën. E kur e mbaron, të mbetet merak pse u krye aq shpejt!

E kisha filluar leximin e veprave të Kadaresë me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Të njëjtin roman të dramatizuar e kisha parë, në vitet shtatëdhjetë, në sallën e Teatrit Krahinor të Prishtinës, të interpretuar nga Trupa e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, me Sandër Prosin, në rolin kryesor.

Edhe pse atëherë nuk isha njohës shumë i mirë i letërsisë, më kishte lënë përshtypje të jashtë­zakonshme “Gjenerali...”, po edhe romanet e tjera. Edhe “Dasma”, edhe “Dimri i vetmisë së madhe”, edhe “Kështjella”...

Përshtypje të mirë romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur”, i kishin lënë edhe drejtorit të Shkollës publike “Graserschule” në Bajrot (Bayreuth), zotit Dengler, të cilit ia kisha dhënë të përkthyera në gjuhën gjermane.

 “Lum ju shqiptarët, çfarë shkrimtari paskë­shit”!, më kishte thënë zoti Dengler, pasi i kishte lexuar romanet.

U gëzova shumë që isha ai që i kisha ofruar zotit Dengler këto dy romane të Kadaresë në gjuhën gjermane. Këto dy romane u kisha ofruar edhe shumë kolegëve gjermanë në Bavarinë Veriore. Secili prej tyre kishte mbetur shumë i kënaqur, se kishte lexuar dy vepra të shkëlqyera dhe se ishin “takuar” përmes meje me “Homerin shqiptar”! Njiheshin, pra, me letër­sinë që krijohej në Shqipëri.

Dhe, erdhi dita e 14 nëntorit. E kishim plani­fi­kuar që atë mbrëmje, të paktën gjysmë ore para filli­mit të manifestimit letrar me Kadarenë, të ishim në “Arkivin letrar” të qytetit Sulzbach – Rosenberg.

Ashtu edhe ndodhi. Më tepër se gjysmë ore bashkë me Rushit Bytyqin e mësuesin Nusret Dërguti, ishim para ndërtesës së Arkivit letrar të qytetit Sulzbach – Rosenberg. Aty, në hyrje të ndërtesës, na priste një grua e sjellshme gjermane. Na pyeti kush ishim dhe nga vinim. Mësuesi Nusret i tregoi se ishim nga Nurem­bergu dhe se paraditen e një dite më parë, kishin bise­duar përmes telefonit.

Ajo na tregoi se Kadare, bashkë me përthyesin e tij, Joachim Röhm, janë duke e shikuar ndërtesën e Arkivit.

I ngjitëm shkallët drejt dhomës ku na tha gru­aja gjermane. U ngjitëm aty ku ishte mbreti i letrave të gjuhës shqipe të kohës sonë, i madhi Kadare, bashkë me përkthyesin e shumë veprave të tij në gjuhën gjer­mane, Joachim Röhm. Natyrisht, pasi isha më i mo­shu­ari, unë prija drejt dhomës ku ishte Kadare. Kur hipëm lart, pamë një dhomë të madhe, që ishte e stoli­sur me portrete të laureatëve të Çmimit Nobel dhe çmimeve të tjera më të njohura për letërsi në Evropë e më gjerë. Ishin ata që e kishin vizituar atë ndërtesë dhe kishin marrë pjesë në manifestime kulturore – letrare të organizuara me ta ose për ta.

Kur i pashë Kadarenë dhe Joachim Röhm, u emocionova shumë. I përshëndeta me një “mirëmbrë­ma” në gjuhën shqipe, e pastaj edhe në atë gjermane. Të dytë, Kadare dhe Röhm, na shikuan lehtë dhe secili në gjuhën e vet na e ktheu përshëndetjen.

“Ne jemi nga Kosova dhe jetojmë në Nurem­berg. Ky është miku im, Rushit Bytyqi, e ky është Nusret Dërguti, mësuesi i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe, ndërsa unë jam Hamza Halabaku, edhe unë punoj mësues në Bavarinë Veriore. Kemi ardhur që të marrim pjesë në mbrëmjen letrare”.

I thashë këto dy fjali, i emocionuar tej mase, meqë takohesha për herë të parë nga afër me njërin nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore.

Nuk e dija pse isha i tillë. Isha si një fëmijë, që gëzohet kur është duke u takuar me gjyshin e tij të moshuar e të urtë. Nuk u përmbajta dhe Kadaresë iu drejtova në gjuhën shqipe. E harrova se aty ishte edhe z. Röhm.

“Ju lutem, zoti Kadare, më lejoni që t’ju për­qafoj?!”, - i thashë.

Kadare buzëqeshi lehtë dhe ma zgjati dorën. E përqafa.

Kisha dëshirë që ta përqafoja, por mos ta shtrë­ngoja më shumë sesa ishte e lejuar, edhe pse kisha shumë dëshirë.

O Zot i Madh, thashë me vete, më erdhi mo­menti që të takohem me autorin e novelës “Kush e solli Doruntinën”. Më duket se i madhi Kadare buzë­qe­shte me sjelljet e mia fëmijërore.

Në sallën shumë të bukur të ndërtesës së Arkivit letrar të qytetit Sulzbach - Rosenberg, ishin tubuar shumë qytetarë gjermanë, edhe ne, “një grusht” shqiptarësh, për ta takuar korifeun e letërsisë shqipe, i cili nga kri­tika letrare dhe lexuesit gjermanofolës çmohet jashtëza­ko­nisht lart. Kur filloi ora letrare, pas prezantimit të bio­grafisë të shkurtër të shkrimtarit tonë Ismail Kadare, përthyesi gjerman, Joachim Röhm, tregoi se në gjuhën gjermane janë përkthyer 17 vepra të Ismail Kadaresë (novela e romane).

Kur erdhi radha e pyetjeve të lexuesve të veprave të Ismail Kadaresë, nuk i bëra pyetje, po u përpoqa të komentoja një pjesë nga novela “Kush e solli Doruntinën”, e cila më kishte lënë pa frymë gjatë leximit. Ishte fjala për procesverbalin e perso­nazhit Stresi. Sipas novelës, atë kohë Stresi ishte zyrtar i policisë së rrethit ku kishte ndodhur ngjarja. Ai, Stresi pra, e kishte bërë procesverbalin në oborrin e Kishës së fshatit, te varri i Konstandinit, edhe pse e kishte parë se as Doruntina e as nëna e saj dhe e Konstandinit nuk ishin në vete. E kishte vënë në dyshim punën e vet, meqë dyshonte se guri i varrit të Konstandinit kishte lëvizur nga vendi!

Kadare, si mbret i letrave shqipe, me buzëqe­shje ndiqte tërë atë që flisja unë, derisa përpiqesha të thosha atë që kisha kuptuar nga leximi i novelës “Kush e solli Doruntinën”.

Nuk e foli asnjë fjalë, as kur fola unë e as kur flisnin të tjerët, po mua më ndiqte me kureshtje.

Pyetjeve u përgjigjej me një modesti dhe gjith­një në aureolën e mbretërisë së një shkrimtari të madh.

Kur dikush, natyrisht nga ne shqiptarët që ishim aty, e pyeti për dr. Ibrahim Rugovën, për atë që e kishte thënë Ismail Kadare në veprën e tij “Ra ky mort e u pamë”, ai tha: “Koha e dëshmoi se e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Rugova më fali në taki­min që menjëherë pas luftës e kishim në shtëpinë e tij”.

Kështu tha Kadare për Ibrahim Rugovën në një ndërtesë të bukur të Arkivit letrar të qytetit Sulzbach – Rosenberg. Shkrimtari shqiptar me renome botërore, mbreti i letërsisë shqipe, gjeniu i letrave shqipe, “Homeri shqiptar“, pa ngurrim e pranoi se “koha e ka dëshmuar se e drejta ishte në anën e Rugovës“.

Image
Nga e majta në të djathtë: H. Halabaku, Ismail Kadare, Rushit Bytuçi, një djalosh nga Shqipëria dhe mësuesi Nusret Dërguti
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat