Rrëfimi nga Zhegra: Gruaja që u detyrua të abortojë nuk pranon të ndahet nga burri

Gjilani

Rrëfimi nga Zhegra: Gruaja që u detyrua të abortojë nuk pranon të ndahet nga burri

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 18:37
Ilustrim

28-vjeçari nga Gjilani, Sh.H., dyshohet se për pesë muaj ka ushtruar dhunë dhe presion psikologjik ndaj bashkëshortes së tij A.R., me të cilën kanë pak muaj martesë, duke e detyruar që ta abortojë foshnjën disa muajsh. Për Sh.H., Gjykata Themelore në Gjilan sot e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar 30 ditë paraburgim.

Kishin vite që njiheshin, për ta kurorëzuar kështu lidhjen e tyre disavjeçare me martesë. Por, gjërat për çiftin nga Zhegra e Gjilanit siç duket nuk shkuan në mënyrën më të mirë. Vajza A.R., kishte mbetur shtatzënë me Sh.H.,  por, ky i fundit po dyshohet se e ka detyruar gruan e tij përmes dhunës dhe presionit psikologjik të kryejë abort.

E gjithë ngjarja dyshohet se ka nisur që nga shtatori i vitit të kaluar kur edhe zonja A.R kishte mësuar se po e mbante në bark fëmijën e Sh.H. Por, burri i saj, nuk e dëshironte këtë fëmijë, andaj vazhdimisht kishte ushtruar presion për ta kryer abortin në janarin e këtij viti në njërin nga shtetet fqinje të Kosovës.

Gjithë ngjarja nuk ka kaluar pa u vënë re nga ana e institucioneve vendore. Andaj gjatë kësaj jave, e kanë arrestuar të dyshuarin për ushtrimin të dhunës dhe ndikimit për kryerjen e abortit.

Seanca gjyqësore ndaj të njëjtit është mbajtur sot. Gjykata Themelore në Gjilan i aprovoi kërkesën Prokurorisë, duke i vendosur të dyshuarit paraburgimin prej 30 ditësh.

E vajza tashmë gjendet në shtëpinë e burrit të saj. Ajo nuk dëshiron që të kthehet në familjen e saj, duke thënë se me burrin tashmë i kanë zgjedhur të gjitha çështjet rreth kësaj pune.

“Çika është te burri i vet. Mos u merrni me këtë çështje. Ajo i ka llogaritë krejt çështjet, po don me nejt të burri. As nuk e ka paraqitë lëndën në polici e as asgjë tjetër”, ka thënë një familjar i vajzës.

E ndërkohë, të montuar, rastin po e cilësojnë nga familja e djalit. Duke mos dashur që të japin detaje, ata thonë se këtë punë dikush po ua bën me qëllim.

“Nuk po dëshirojmë me fol për këtë punë. Kjo po na bëhet neve me qëllim”, thonë nga familja e burrit.

E gjithë ngjarja sipas dyshimeve të para të prokurorisë Sh.H., në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar presion dhe dhunë psikologjike tek bashkëjetuesja A. R., në mënyrë që të marrë vendimin për abortimin e fëmijës.

“Me këto veprime i pandehuri Sh. H. ka kryer veprat penale, shtrëngimi dhe shtytja në kryerjen e veprës penale ndërprerja e palejuar e shtatzënisë, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ai po hetohet për dy vepra, atë të “Shtrëngimit”, shkruan expres. Si dhe veprën penale të shtyrjes në kryerjen e veprës penale Ndërprerje e Palejuar e Shtatzënisë.

“Sh.H. ka ushtruar dhunë në familje, duke e shtyrë me forma të ndryshme të ndikimit psikologjik dhe forcës fizike për ta bindur të ndërmarr një vendim që as nuk i kishte shkuar ndërmend për të abortuar fëmijën e tyre që as shumë e dëshironte e dëmtuara, në atë mënyrë që fillimisht përpiqet ta bindë me  mirësjellje që ta abortojë fëmijën se më pas do t’i ofrojë një jetë më të mire”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

“Më pas tenton ta bindë të dëmtuarën me anë të mashtrimit dhe sjelljes në lajthim se ajo nuk mund ta rris një fëmijë e vetme dhe do të turpërohet në të kundërtën ai do ta lë dhe nuk do të interesohet për fëmijën me pas duke shfaqur kinse shenja dyshimi për atësinë e tij”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat