Aksidenti në Gjilan, mjekët flasin për shëndetin e të lënduarve

Gjilani

Aksidenti në Gjilan, mjekët flasin për shëndetin e të lënduarve

Më: 8 mars 2019 Në ora: 10:25
Pamje nga aksidenti

Dje në qytetin e Gjilanit ndodhi një aksident zinxhiror në të cilin u përfshi një kamion dhe dhjetëra vetura, derisa si pasojë mbeti i vdekur një person.

Sipas Prokurorisë dhe akterëve tjerë, shkak i aksidentit dyshohet të jetë mosfunksionimi i frerëve të kamionit.

Pos viktimës, në këtë aksident pësuan lëndime trupore edhe dhjetëra pasagjerë e këmbësorë që ndodheshin në rrugë ato momente.

Sot, një ditë pas aksidentit tragjik që tronditi të gjithë, në Spitalin Rajonal të Gjilanit po vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor disa të lënduar.

Dr.Ukshin Ismajli në një prononcim për mediat vendore ka folur për gjendjen e personave që po trajtohen aty.

Ai ka thënë se aktualisht në këtë spital janë të shtrirë 11 persona që pësuan lëndime nga goditjet dje.

“Aktualisht në Spitalin Rajonal të Gjilanit janë të shtrirë 11 persona. Gjendja e tyre është stabile dhe deri në ora 13:00 do t’ua bëjmë ekzaminimet dhe analizat e nevojshme për të parë se kë do ta lëshojmë dhe kush duhet të vazhdoj ende trajtimin në spital”, ka thënë Ismajli.

Pos në spitalin e Gjilanit, persona të lënduar nga ky aksident janë të shtrirë edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka thënë se tre personat e transferuar dje nga Spitali i Gjilanit, fillimisht kanë marrë tretman në Klinikën Emergjente.

“Një është transferuar në kirurgji torkale jashtë rrezikut për jetë dhe një në neurokirurgji po ashtu është jashtë rrezikut për jetë”, ka theksuar Fazliu.

Sipas tij, personi i tretë pas operacionit disa orësh nga neurokirurgët është transferuar për mjekim intensiv qendror.

“Gjendja e tij është e rëndë, por stafi mjekësor po ofron kujdes maksimal”, ka përfunduar Fazliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat