Objekti i QKMF në Gjilan do të jetë zgjidhje për 50 vjetët e ardhshëm

Gjilani

Objekti i QKMF në Gjilan do të jetë zgjidhje për 50 vjetët e ardhshëm

Më: 28 maj 2019 Në ora: 16:43
Selami Xhemaili

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, Selami Xhemaili deklaroi sot ndërtimi i objektit të QKMF-së ka marrë mbështetjen shtesë nga MSH dhe Komuna që brenda këtij viti të përfundojë ky projekt, duke shënuar gjithashtu edhe një kujdes të vazhdueshëm në shëndetësinë primare.

“Nënshkrimi i aneks marrëveshjes në mes të kryetarit të Komunës dhe ministrit të Shëndetësisë, ka bërë të mundur vazhdimin e punimeve deri në përfundim të këtij projekti, i cili llogaritet se është zgjidhje për 50 vitet ardhshme për shëndetësinë primare. Gjithashtu, në sektorin e shëndetësisë këtë vit kemi bërë hapjen e shërbimeve të laboratorit në lagjen Arbëria. Në këtë periudhë sektori primar i shëndetësisë dhe ai regjional kanë pranuar donacion mbi 50 mijë euro në sanitari dhe kujdes për pacientët”, ka thënë Xhemaili.

Ai ka thënë se do të vazhdohet me projekte në infrastrukturë, ku sipas tij së shpejti fillon ndërtimi i objektit në fshatin Llashticë, renovimi i objekteve shëndetësore në lagjen Dardania, fshatin Uglar dhe disa objekte të tjera shëndetësore.

Në sektorin e mirëqenies sociale aktivitetet kryesore drejtori Xhemajli i ka paraqitur, ndërtimin e fshatit social, renovimet e shtëpive dhe projekte të tjera që janë në këtë kategori të përgjegjësisë.

“Ka përfunduar renovimi i gjashtë shtëpive të familjeve me gjendje të rëndë sociale. Falë nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit me shoqatën bamirëse “Jetimët e Ballkanit” ka filluar ndërtimi i shtëpive për njëzet familje të cilat janë me gjendje të rëndë sociale, realizimi i këtij projekti pritet të përfundoj në afat prej tre muajsh”, ka thënë ai.

Xhemaili theksoi se për familjet në nevojë gjatë muajit të ramazanit ka shpërndarë pako ushqimore në bashkëpunim me shoqatat “Riliefi Islamik Kosova” dhe “Jetimët e Ballkanit” në një sasi prej mbi 200 pako.

“Kemi vazhduar me pagesën e qirave të banimit për 50 familje si dhe trajtimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve për kompensimin e barnave për rastet me sëmundje të rënda”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat