Vihet gurthemeli i shtëpisë muze të Rexhep Malajt - Bota Sot
Vihet gurthemeli i shtëpisë muze të Rexhep Malajt

Gjilani

Vihet gurthemeli i shtëpisë muze të Rexhep Malajt

Më: 1 gusht 2019 Në ora: 16:14
Vihet gurthemeli i shtëpisë muze të Rexhep Malajt

Në Hogosht të Kamenicës është vënë gurthemeli i shtëpisë muze të Rexhep Malaj, një investim i ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Vënien e gurthemelit e bëri ministri i Kulturës, Kujtim Gashi dhe kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati e familjarët e veprimtarit Rexhep Malaj.

Ministri i Kulturës Kujtim Gashi, me këtë rast tha se kjo shtëpi muze do të shërbej për t’u kujtuar periudha në të cilën ka vepruar Rexhep Malaj, teksa shprehu angazhimin e tij edhe për ndërtimin e shtëpisë muze edhe për Nuhi Berishën.

Gashi tha se si ministri janë duke investuar në çdo periudhë të historisë shqiptare.

Gashi: Kjo shtëpi muze do të shndërrohet në muze ku do vendosen artefaktet e periudhës ku veproi Rexhep Malaj

"Këto muze jemi duke i bërë për ta kujtuar që kanë filluar nga vitet e 80'ta e deri tek lufta e lavdishme çlirimtare e Kosovës, pra në të gjitha periudhat jemi duke investuar dhe jam shumë i lumtur që në cilësinë e ministrit po e vendosim këtë gurthemel dhe një falënderim sigurisht për familjen dhe komunën.... Ne si ministri do të vazhdojmë pastaj edhe fazën tjetër për ta shndërruar në muze këtë objekt dhe për të vendosur arte fakte të cilat i takojnë periudhës që ka vepruar Rexhep Malaj, Nuhi Berisha e shumë bashkëluftëtar të tjerë", tha Gashi.

Në anën tjetër kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati teksa ka uruar familjarët tha se investimet e tilla si kjo e ndërtimit të shtëpisë muze të Rexhep Malaj do ndihmoj që gjenerata e reja të mos ta harrojnë sakrificën për liri.

Kastrati: Kjo do na frymëzojë që të punojmë më shumë për zhvillim të vendit

"Uroj që kjo të përfundoi sa më shpejt dhe aq më mirë, dhe uroj që kjo do të na ndihmoj si shoqëri që gjeneratat e reja mos ta harrojnë asnjëherë të kaluarën dhe sakrificën për të ardhur në ditën që jemi sot, por të jetë edhe frymëzim për të ardhmen se si ne duhet me u angazhua dhe punua shumë që kjo shoqëri dhe kombi jonë me u zhvilluar sa më shumë", tha Kastrati.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi i cili tha se Rexhep Malaj e Nuhi Berisha ishin paralajmëruesit e lirisë së Kosovës, prandaj sipas tij ndërtimi i shtëpisë muze është monument ku njerëzit do e përkujtojnë historinë tonë.

Isufi: Rexha e Nuhiu janë paralajmëruesit e parë të lirisë

"Që tani do të bëhet një monument i cili do të jetë për vizitorët, për njerëzit për të përkujtuar historinë e në këtë rast falënderoj ministrinë kryetarin e komunës dhe të gjithë ata që janë angazhuar për ta bërë një monument të tillë sepse Rexha dhe Nuhiu janë paralajmëruesit e parë të luftës për liri të cilët me armë në dorë luftuan deri në momentin e fundit për të sinjalizuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", u shpreh Isufi.

Ndërsa, kryetari i komisionit për ndërtimin e shtëpisë muze të "Rexhep Malajt", Aqif Agaj u shpreh se kjo ditë është historike për banorët e kësaj ane.

Agaj: Kjo ditë është historike

 "Për ne sot është një datë historike, vendoset gurthemeli për heroin e kombit, Rexhep Malaj", u shpreh Agaj.

Rexhep Malaj vlerësohet si një nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi, dhe është çmuar si shembull për gjenerata të shumta për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative të dëshmuara në Lëvizjen Kombëtare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...