Profesori padit Komunën e Gjilanit, thotë se nuk iu lejua qasja në dokumente zyrtare për konkursin që dyshon se u manipulua - Bota Sot
Profesori padit Komunën e Gjilanit, thotë se nuk iu lejua qasja në dokumente zyrtare për konkursin që dyshon se u manipulua

Gjilani

Profesori padit Komunën e Gjilanit, thotë se nuk iu lejua qasja në dokumente zyrtare për konkursin që dyshon se u manipulua

Më: 12 shtator 2019 Në ora: 14:45
Gjykata Themelore në Prishtinë

Ka përfunduar gjykimi në rastin ku profesori i shkollës së mesme “Marin Barleti”, në Gjilan, Nexhmedin Shaqiri, kishte paditur Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Gjilanit, për mos ofrim të qasjes në dokumente zyrtare.

Ai po kërkon nga Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë, edhe kompensimin e dëmit moral që pretendon se i është shkaktuar me këtë rast.

Këtë pasi, ai e ka ushtruar lidhur me konkursin e 18 prillit të vitit 2014, për pozitën e drejtorit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Marin Barleti”, në Gjilan.

Në seancën e së enjtes, ai deklaroi se qëndron në tërësi pranë padisë së ushtruar në gjykatë, duke kërkuar që Komuna e Gjilanit të obligohet për t’u ofruar atij qasje në dosjen e konkursit për të gjithë kandidatët.

Ai shtoi se në kohën e aplikimit i kishte plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara në bazë të konkursit, por sipas tij, ai ishte anuluar pikërisht për shkak të tij, pasi që pretendon se i kishte përmbushur të gjitha kriteret, duke u bërë kështu konkurrent i drejtorit të zgjedhur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E sipas tij, drejtori i zgjedhur pas rishpalljes së konkursit kishte qenë i preferuari i kryetarit të Komunës së Gjilanit.

Sipas paditësit Shaqiri, punëdhënësi kishte bërë shkelje ligjore, duke i pamundësuar qasje në dokumente zyrtare.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, Arben Mehmeti deklaroi se paditësi me rastin e inicimit të konfliktit administrativ, nuk i kishte shterur të gjitha mjetet juridike të brendshme në kuadër të institucionit.

Madje, sipas tij, padia është pa bazë ligjore, pasi që ai konkurs që është objekt i padisë është rishpallur, ngase ka qenë i anuluar nga punëdhënësi.

Sa i përket mos ofrimit të qasjes në dokumente zyrtare, ai shtoi se paditësi është njoftuar se konkursi është anuluar dhe se do të rishpallet më vonë.

Por, këtë e kundërshtoi paditësi, i cili tha se ai nuk kishte pranuar një këshillë juridike, andaj edhe i ishte drejtuar gjykatës.

Pas administrimit të provave, palët dhanë fjalën e tyre përfundimtare, ku paditësi deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të mëparshme, duke kërkuar nga gjykata kompensimin e dëmit moral sipas ligjit.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, deklaroi se mbetet në tërësi pranë përgjigjes në padi dhe deklarimeve të mëparshme, duke kërkuar nga gjykata refuzimin e kërkesëpadisë së paditësit si të pabazuar.

E sipas padisë së ushtruar më 14 tetor 2014, paditësi Nexhmedin Shaqiri, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta obligojë Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Gjilanit, që t’i ofrojë qasje në dokumentet zyrtare, respektivisht në dosjen e konkursit për të gjithë kandidatët, lidhur me konkursin e datës 18 prill 2014, të hapur për pozitën e drejtorit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Marin Barleti”, në Gjilan.

Sipas padisë, paditësi kishte qenë njëri nga aplikantët për pozitën e drejtorit të kësaj shkolle, por më pas ky konkurs ishte anuluar, dhe edhe pas kërkesës së tij lidhur me arsyet e anulimit, ai nuk kishte marr ndonjë përgjigje.

Paditësi pretendon se ky konkurs ishte manipuluar dhe për shkak se ai kishte qenë aplikanti, i cili i kishte përmbushur kriteret më mirë sesa drejtori i zgjedhur pas ri shpalljes së konkursit, ky konkurs ishte anuluar.

Sipas padisë, paditësi kishte bërë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare lidhur me intervistimin e kandidatëve, por që siç thuhet në padi, nuk i ishte ofruar qasje në dokumente nga ana e të paditurës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...