Ismajli kërkon të mos politizohet rasti i dëmtimit të pllakës në varrezat e qytetit

Gjilani

Ismajli kërkon të mos politizohet rasti i dëmtimit të pllakës në varrezat e qytetit

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 16:17
Arbër Ismajli

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, ka shprehur keqardhje në takimin e sotëm të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për rastin e dëmtimit të pllakës së varrezave të komunitetit ortodoks në Gjilan, rast ky për të cilin tha se ishin njoftuar nga OSBE.

Ismajli ka kërkuar që ky rast i izoluar të mos politizohet, meqë nuk besohet të ketë ndonjë prapavijë të caktuar. Për më tepër, ai ka thënë se ende nuk ka as raport final për këtë rast, i cili mund të ketë ndodhur nga ndonjë grup i të rinjve që sillen vërdallë andej pari dhe nuk ka diçka serioze në prapavijë.

Sa i përket gjendjes së përgjithshme në varrezat e qytetit, ku pati vërejtje nga përfaqësuesi i kishës ortodokse në Gjilan, nënkryetari Ismajli u ka bërë thirrje të gjitha komuniteteve që të dalin e t`i pastrojnë varrezat e tyre, sepse kjo është kulturë dhe kështu tregohet respekt ndaj të vdekurve.

Përndryshe, ai ka thënë se Komuna e Gjilanit është në përgatitje të hapësirës së re të varrezave, e cila është planifikuar sipas standardeve evropiane për të gjitha komunitetet dhe do të jenë model i varrezave në Kosovë.

Bekim Bajrami, drejtor për Urbanizëm, sqaroi se vendosja e tabelave në varrezat ekzistuese është bërë për të shënuar përkatësinë fetare të të vdekurve, meqë hapësira është e përbashkët, ndërkohë që, siç tha ai, po punohet në zgjidhjen e problemit të lokacionit për varrezat e reja.

“Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi e dënon rastin e dëmtimit të plakës në varrezat e komunitetit protestant dhe kërkon nga policia që të angazhohet në zbardhjen e këtij akti”,
ka thënë Halit Rexhepi, kryesues i kësaj trupe komunale.

KKSB është informuar edhe për gjendjen e pyjeve në komunën e Gjilanit dhe ka kërkuar angazhim nga të gjitha mekanizmat institucionale për mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore nga prerjet ilegale dhe kontrabanda.

Ramiz Ramadani, drejtor për Bujqësi dhe Pylltari, ka thënë se përgjithësisht gjendja është e mirë, duke marrë parasysh se shumica e familjeve te ne nuk kanë alternativa tjera për ngrohje, pos drurëve.

Ramadani u shpreh i kënaqur sa i përket bashkëpunimit me policinë, derisa për gjykatën tha se po i neglizhon rastet e dëmtimit të pyjeve.

Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, tha se prerja ilegale e pyjeve është një rrezik i përhershëm, prandaj kërkoi të rishikohet mundësia e ndalimit të dhënies së lejeve për prerjen e drurëve.

Sipas pjesëmarrësve në debat, Ramadan Kurteshi, Naim Bllaca e të tjerë, për mbrojtjen e pyjeve, është e nevojshme një strategji e mirëfilltë në nivel vendi. Pyjet janë begati natyrore, për të cilën duhet të kujdesemi të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat