KDI: Në tetë shkolla fillore në Gjilan përdoret uji i papijshëm

Gjilani

KDI: Në tetë shkolla fillore në Gjilan përdoret uji i papijshëm

Më: 23 dhjetor 2019 Në ora: 15:19
Foto nga takimi

Në tetë shkolla fillore të Komunës së Gjilanit që furnizohen me ujë nga puset, është gjetur se uji është i kontaminuar në aspektin kimik dhe bakteriologjik dhe për rrjedhojë mund të shkaktojë sëmundje infektive si tifoja, paratifoja, dizenteria dhe kolera.

Si rrjedhojë e një hulumtimi në terren të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe nga analizat e siguruara nga Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Gjilan (QRSHP) rreth cilësisë së ujit në këto shkolla, kontaminimi i ujit në këto shkolla vjen si pasojë e vjetërsisë së filtrave të ujit dhe mosmirëmbajtjes së puseve.

Numri i nxënësve që vijojnë mësimin në këto 8 shkolla është 1317.          

Sipas vlerësimeve të QRSHP-së, uji i kontaminuar mund të bartë lloje të ndryshme të mikroorganizmave, dhe për rrjedhojë mund të shkaktojë sëmundje infektive si tifoja, paratifoja, dizenteria dhe kolera.        

Këto gjetje dhe rezultatet e raportit të QRSHP-së, KDI i ka shpalosur në një takim që është mbajtur ditë më parë me zyrtarët komunal dhe drejtorët e shkollave.

Në këtë tryezë, zyrtari nga drejtoria e Shëndetësisë, Veton Uka, ka thënë që disa shkolla furnizohen nga bazenet, ndërsa kapakët e betonit me të cilët mbulohen këto ‘bazene’ nuk janë të cilësisë së duhur. Po ashtu Uka ka theksuar që sidomos gjatë sezonit të vjeshtës ndodh depërtimi i baktereve në këto ‘bazene’ duke shkaktuar kontaminimin e ujit.

Ajhane Sefiu nga QRSHP, ka kërkuar që klorizimi i ujit në këto shkolla duhet të bëhet në mënyrë permanente, ndërsa ka rekomanduar që çdo fshat duhet të tentojë të ketë sistemin lokal të furnizimit me ujë, që do të mundësonte përmirësimin e cilësisë së ujit në shkolla.

KDI kërkon nga komuna e Gjilanit të merr masa të menjëhershme për mirëmbajtjen, pastrimin dhe rehabilitimin e këtyre puseve në mënyrë që këtyre nxënësve tu garantohet furnizimi me ujë të pijshëm.          

Ndryshe, aktivitetet janë realizuar në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të  qeverisjes lokale”, që mbështetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat