Gjatë vitit 2109, sipas shifrave të policisë, kriminaliteti ka shënuar rënie në Gjilan

Gjilani

Gjatë vitit 2109, sipas shifrave të policisë, kriminaliteti ka shënuar rënie në Gjilan

Më: 7 shkurt 2020 Në ora: 14:47
Gjilan

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit dhe për këtë meritat i ka adresuar te qytetarët, policia dhe institucionet e mekanizmat tjerë komunalë.

Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, ka thënë se gjendja e sigurisë vazhdon të jetë e qetë, për çka Gjilani dallohet nga komunat tjera, duke sugjeruar që me qytetarët të punohet në vazhdimësi sa i përket ngritjes së vetëdijes dhe jo vetëm në kohë zgjedhjesh e fushatash.

“Qytetarët duhet ta ndihmojnë sa më shumë policinë, sepse në këtë mënyrë, në të vërtetë ata ndihmojnë vetveten”, ka thënë Rexhepi, ndërkohë që është shprehur i kënaqur me të dhënat e policisë, të cilat tregojnë për një ulje të ndjeshme të kriminalitetit gjatë vitit 2019.

KKSB ka shprehur brengosje sa i përket deponive ilegale në qytet, sidomos te pjesa e tregut dhe ka propozuar mbajtjen e një takimi me strukturat relevante për ta trajtuar këtë problem.

Njëherësh, KKSB ka përshëndetur edhe hapjen e pikës kufitare në Stançiq, e cila do ta lehtësoj lëvizjen e njerëzve ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Kosovës.

Sa iu përket rasteve në Cërnicë, ku ka ndodhur një incident ndërmjet fqinjëve dhe në Livoç të Epërm, ku nuk dihet ende kush e kishte vendosur një flamur shqiptar në varrezat ortodokse, KKSB ka kërkuar që të shmangen incidentet e tilla, sepse pavarësisht që mund të mos kenë ndonjë prapavijë të caktuar, edhe si të tilla mund të reflektohen në marrëdhëniet e mira ndëretnike.

Përndryshe, Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka prezantuar një raport të punës për vitin 2019, ku vërehet një rënie e veprave penale dhe kriminalitetit më përgjithësi.

“Qëllimi ynë është krijimi dhe mbajtja e një ambienti të qetë për të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit”, ka thënë Ramushi.

Komandanti i Stacionit të Policisë, Alban Ramushi, është përgjigjur edhe në pyetjet dhe interesimet konkrete të anëtarëve të KKSB./ZIP

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat