Haziri: Për këtë Republikë, kanë derdhur gjakun gjenerata të tëra

Gjilani

Haziri: Për këtë Republikë, kanë derdhur gjakun gjenerata të tëra

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 14:16
Komuna e Gjilanit ka nisur aktivitetet e shumta, nën përkujdesjen e kreut të saj, Lutfi Haziri

Me rastin e shënimit të 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Komuna e Gjilanit ka nisur aktivitetet e shumta, nën përkujdesjen e kreut të saj, Lutfi Haziri.

Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve, sikurse edhe të shtatoret e bustet e heronjve, Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani, Agim Ramadani, Esat Berisha, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Pajazit Ahmeti e Alban Ajeti, Reshat Ymeri, Tefik e Hanumshahe Zymberi dhe tek busti i Xhavit Ahmetit.

“Uroj çdo qytetar kudo që është për 17 Shkurtin, ditën e shpalljes së Republikës së dytë të Kosovës, Republikës formale dhe të pranimit ndërkombëtar pas bisedimeve të Vjenës. Kjo Republikë vjeneze na gëzon të gjithë neve, por duhet të bëjmë më shumë që shqiptarët e Kosovës Lidore, ajo pjesë e pazgjidhur, të mos harrohet, të jetë në plotninë e saj dhe i gjithë populli ta gëzojë këtë ditë të shenjtë dhe ditë të madhe të lirisë”, ka thënë Haziri, pas homazheve.

Ai pohoi se për këtë ditë, kanë derdhur gjakun gjenerata të tëra.

“Për Republikë, kanë derdhur gjakun breza e gjenerata të tëra, por në fund besoj që këto 12 vjet, janë një dekadë e më shumë që ne po e gëzojmë dhe po e rrisim Republikën tonë, me dhimbjet e saj, por besoj që kjo do të kalojë në interes të zhvillimit të vendit”, ka shtuar kreu i Gjilanit.

Ndërkohë, në ora 17:00, në sallën e teatrit të qytetit, mbahet Akademi kushtuar 17 Shkurtit, ku edhe do të ndahen tetë çmime, Nderi i Qytetit dhe Heroina e Qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat