Prokuroria jep detaje për aksidentin në Gjilan, ku humbi jetën një 24 vjeçar

Gjilani

Prokuroria jep detaje për aksidentin në Gjilan, ku humbi jetën një 24 vjeçar

Më: 10 prill 2020 Në ora: 15:32
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin që ndodhi mesditën e së premtes në Gjilan, ku si pasojë humbi jetën një 24-vjeçar.

Në këtë aksident ishin të përfshira një veturë dhe një motoçikletë, ku drejtuesi i kësaj të fundit humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Prokuroria ka thënë se ekziston dyshimi se ngasësi i veturës kishte shkaktuar aksidentin, pasi ishte kthyer në mënyrë të pasigurt.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se sot, më 10 prill 2020, rreth orës 12:10 minuta, në Gjilan, ka ndodhur një aksident me fatalitet, në të cilin ka qenë i përfshirë një automjet dhe një motoçikletë. Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari M.H., ka rrezikuar trafikun publik, në atë mënyrë që duke drejtuar automjetin e markës ‘Opel Corsa’, për shkak të kthimit të pasigurt, ka goditur motoçikletën e markës ‘Honda’, të cilën e drejtonte i ndjeri D.H., nga Gjilani, duke i shkaktuar lëndime me pasoja fatale, me ç’rast dërgohet në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, pa shenja jete”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Me aktvendim të prokurorit, ngasësi i veturës është ndaluar për 48 orë.

“I dyshuari M.H., me aktvendim të prokurorit të shtetit gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të veprës penale ‘’Rrezikimi i trafikut publik’’, nga neni 370 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj tij brenda afatit ligjor do të kërkohet nga Gjykata kompetente në Gjilan masa për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat