Haziri: Më 25 qershor do ta sjellim lapidarin e Abullah Tahirit në Gjilan

Gjilani

Haziri: Më 25 qershor do ta sjellim lapidarin e Abullah Tahirit në Gjilan

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 15:15
Lutfi Haziri

Nën përkujdesjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë nisur sot aktivitetet e shumta në shënim të 15 qershorit, Ditës së Çlirimit të këtij qyteti me një pjesëmarrje të të gjitha institucioneve në nivel lokal e regjional, për të bërë kështu nderimin e përbashkët për dëshmorët, heronjtë, martirët dhe të gjithë të rënët në luftën për liri, në varrezat e dëshmorëve.

Haziri ka thënë se janë ditë të bardha të qytetit të Gjilanit dhe të Kosovës falë sakrificës së dëshmorëve dhe të rënëve në luftën për liri, vetëm duke respektuar të kaluarën, mund të ndërtojmë të ardhmen bashkarisht.

“Në këtë kohë pandemie, uroj këto ditë të bardha për të gjithë qytetarët e Gjilanit. Për shkak të pandemisë, festa do të shënohet me aktivitete ceremoniale dhe programe kulturore online, që përfshinë respektin dhe nderimet për heronjtë e kombit. Sot në këtë ditë do të bëhet parakalimi në shenjë falënderimi për mjekët dhe institucionet komunale e regjionale të cilët kanë luftuar përhapjen e Covid-19, si institucione që nuk ndalen në asnjë moment për të ndihmuar dhe lehtësuar jetën e qytetarëve. Ndërkaq, me 25 qershor përfundojnë aktivitetet, kur edhe do ta sjellim lapidarin e Avdullah Tahirit, Hero i Kombit, që ky vit i përkushtohet atij, veprës dhe kontributit në rreshtin e gjatë të heronjëve dhe dëshmorëve të Kosovës të rënë për liri”, ka thënë ai.

Ai ka apeluar që të festohet, por, me kujdes sepse parandalimi i sëmundjes, është prioriteti kryesor sot.

Edhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, ka uruar të gjithë qytetarët e Gjilanit për ditën e 15 qershorit.

Ndërsa, Ahmet Isufi, ish komandant i Zonës Operative të Karadakut, ka kujtuar këtë ditë të madhe kur shënoi edhe përfundimin e luftës.

“Është 21-vjetori i çlirimit të Gjilanit, është momenti i hyrjes në qytet të pjesëtarëve të UÇK-së dhe trupave të NATO-s të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne kemi pasur fatin si ZOK që të kemi bashkëpunim, pikërisht me kontigjentin amerikan. Lavdia është pikërisht për dëshmorët që Kosova të jetë e lirë. Të gjithë luftëtarët janë krenar që kanë luftuar për lirinë epopullit të vet. Mesazhi është gjithmonë që të punojmë sa më shumë, ta ndërtojmë vendin dhe të jetojmë, sepse për këtë kanë ra dëshmorët”, ka thënë ai mes tjerash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat