​Haziri: Mjekët, policët, ushtarët e zjarrfikësit janë heronjtë e gjallë të ditëve të sotme

Gjilani

​Haziri: Mjekët, policët, ushtarët e zjarrfikësit janë heronjtë e gjallë të ditëve të sotme

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 16:19
Lutfi Haziri

Në 21-vjetorin e Çlirimit të Gjilanit, sot kanë defiluar mjekët, infermierët, policët, ushtarët e zjarrfikësit, të cilët nga kreu i Gjilanit Lutfi Haziri, janë cilësuar si heronjtë e gjallë të ditëve të sotme, pasi tash e tre muaj kanë qenë në ballë të luftës kundër pandemisë Covid-19.

“12 qershori shënon hyrjen e trupave të NATO-s, ku fillimisht këtu zbarkuan trupat franceze dhe 12 orë më vonë edhe Marina Amerikane, për t’iu bashkangjitur më vonë edhe brigada e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pasditen e 15 qershorit. Ne do të vazhdojmë shënimin për nder të veprimtarisë së çdo qytetari tonë që ka rezistuar, që është kryengritur, që ka punuar dhe është angazhuar për lirinë. Kjo ditë i kushtohen dëshmorëve, heronjve dhe martirëve, që respekti për ta, nuk do të shuhet kurrë”, ka thënë Haziri.

Ai i ka shprehur falënderim të veçantë çdo mjeku, infermieri, stafit teknik, policëve ushtarëve, deputetëve, këshilltarëve komunalë dhe të gjithë atyre që po punojnë dhe angazhohen për mirëqenien tonë në përgjithësi.

“Ky defile i emergjencave civile, institucioneve shëndetësore, Policisë së Kosovës dhe Ushtrisë së Kosovës, sot është në falënderim për luftën, punën dhe përpjekjet e pashoq që e kanë bërë tash e 95 ditë kundër përhapjes së pandemisë. Këta njerëz 24 orë dhe 7 ditë punojnë pa pushim për ta ruajtur shëndetin publik dhe jetën tonë në përgjithësi”, ka thënë Haziri.

Ai ka apeluar qytetarët që të festojnë me kujdes maksimal me përdorim të mjeteve mbrojtëse, respektim të distancës sociale dhe zbatim të rekomandimeve të institucioneve të shtetit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat