​Gjilani nga e hëna do të hapë çerdhet dhe fitneset

Gjilani

​Gjilani nga e hëna do të hapë çerdhet dhe fitneset

Më: 1 gusht 2020 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Komiteti i Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, është njoftuar sot për rastet më të reja pozitive me virus, ndërkohë që kryetari Lutfi Haziri, ka kërkuar nga qytetarët t’i respektojnë masat antiCovid-19, në të kundërtën paralajmëroi ashpërsimin e tyre.

I pari i Komunës së Gjilanit tha se sot janë edhe tetë raste të reja me COVID-19 në Gjilan dhe disa raste që janë shëruar për gjatë 48 orëve të fundit.

"Tani kemi 153 raste aktive me Covid-19, prej të cilëve 38 janë të hospitalizuar në Spitalin e Gjilanit, ndërsa nuk kemi qytetarë tanë që janë të shtruar në QKUK apo klinika tjera. Ju lutem ruajeni veten, familjen dhe të tjerët, në mënyrë që të mos na detyroni t'i shtrëngojmë masat. Rritja e numrit të të infektuarve dhe i rasteve të vdekjes do të na detyrojë t’i shtrëngojmë masat”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai megjithatë paralajmëroi lehtësim të masave duke përmendur faktin që nga e hëna do të fillohet me hapjen e çerdheve, fitneseve, sporteve edukuese.

“Ne, të hënën po planifikojmë t’i hapim çerdhet. Ende nuk kemi konfirmim se cilat çerdhe në çfarë kohe, por në kuadër të lehtësimit të masave i ftoj menaxhmentin e çerdheve, edhe publike edhe private, që të përgatiten, ne do t'i hapim çerdhet, sallat e sportit edukues, fitneset...”, ka thënë Haziri duke shtuar se për klubet e futbollit Gjilani e Drita, do të krijojnë kushte të veçanta për përgatitje pasi ato klube do të përfaqësojnë vendin në Evropë.

Haziri ka kërkuar nga qytetarët që të njoftojnë institucionet përkatëse për shkelje të masave të Covid, mos respektim të orarit, siç ka ndodhur në lagjen ‘Dardania’ ku qytetarët kanë bashkëpunuar dhe organet përkatëse kanë reaguar.

"Nuk lejohet muzikë live në asnjë klub, lokal a restorant, madje as me DJ. Nuk lejohen tubime, mitingje, ahengje e organizime, sepse na detyron masa për shpërndarje", tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat