Kërkohet angazhim për uljen e rasteve në Gjilan

Gjilani

Kërkohet angazhim për uljen e rasteve në Gjilan

Më: 24 gusht 2020 Në ora: 17:44
Gjilan

Komiteti i Emergjencave në Gjilan sot ka konfirmuar se nga 40 mostrat e marra, janë 13 raste pozitive, 11 negative dhe 26 prej tyre janë në pritje të punimit, ku rezultatet do të publikohen gjatë ditës së nesërme.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli ka kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve, në mënyrë që rastet me Covid-19 të shkojnë drejtë pikës zero.

Duke iu referuar mostrave që janë marrë mbrëmë, kryesisht në personelin shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm, nënkryetari Ismajli ka bërë thirrje te të gjithë qytetarët, punëtorët e shtetit etj., që të kenë kujdesin maksimal në respektimin e rekomandimeve të institucioneve të shtetit për përdorimin e masave mbrojtëse dhe distancës sociale.

“Përdorimi i masave mbrojtëse është tashmë përditshmëri e jetës sonë. Kjo është për qëllimin më të mirë, për shëndetin tonë, të familjeve tona dhe shëndetin publik në përgjithësi. Gjendja bazuar edhe në institucionet shëndetësore, por edhe në ato të sigurisë është e qetë dhe nën kontroll”, ka thënë Ismajli.

Që nga shpërthimi i pandemisë e deri më tash, Komuna e Gjilanit ka të regjistruar 773 raste pozitive, prej tyre 564 janë shëruar, 178 janë raste aktive dhe 31 të vdekur. Të hospitalizuar janë 57 raste që janë nën kujdesin e stafit mjekësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat