​116 raste me Covid-19 aktive në Gjilan

Gjilani

​116 raste me Covid-19 aktive në Gjilan

Më: 12 shtator 2020 Në ora: 16:19
Gjilan

Komiteti i emergjencave për parandalimin e virusit Covid-19, në mbledhjen e mbajtur sot, të udhëhequr nga nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në vlerësimin e gjendjes në 24 orët e fundit, konstaton rënie të infeksionit, ku nga 46 mostra të testuara vetëm tre raste kanë rezultuar pozitive dhe 4 pacient janë shëruar plotësisht.

Në fjalën e tij nënkryetari Ismajli ka thënë se nga mostrat e testuara në 10 ditëshin e fundit kemi pak raste pozitive dhe numër më të madh të të shëruarve që është gjendje shpresuese.

“Ka rënie të rasteve pozitive, në mostrat e 10 ditëve të fundit, ndërsa për fat të mirë numri i pacientëve të shëruar është gjithnjë e më i madh. Sot në rezultatet e fundit nga 46 mostra janë vetëm 3 raste pozitive dhe 4 raste të shëruara plotësisht. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të jemi të qetë, por edhe më tutje në bashkëpunim me të gjitha institucionet në nivelin lokal dhe atë regjional, do të vazhdojmë respektimin e masave mbrojtëse, falë edhe përkrahjes që kemi nga sektori privat i biznesit dhe kultura e lartë qytetare në respektimin e rekomandimeve të shtetit”, ka thënë, nënkryetari Ismajli.

Një lajm i mirë është edhe gatishmëria maksimale e stafit mjekësor për të përcjellë në aspektin shëndetësor nxënësit dhe mësimdhënësit, në mënyrë që procesi mësimor të vazhdoj në bazë të planifikimit deri në stabilizimin e plotë të gjendjes me virusin.

“Mjekët në dy nivelet e organizimit të shëndetësisë, emergjencat civile, Policia e Kosovës, Zjarrëfikësit dhe të gjitha institucionet publike, janë të angazhuar maksimalisht në mbështetjen e mbarvajtjes së procesit të mësimit nëpër shkollat e Gjilanit”, ka thënë mes tjerash nënkryetari në fjalën e tij.

Në bazë të statistikave që ka bërë publike Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, konfirmohet se Komuna e Gjilanit në përballjen me Covid-19, nga data 13 mars e deri më sot, ka gjithsej 933 raste pozitive, prej tyre të shëruar plotësisht janë 777 pacient, 41 kanë humbur jetën, ndërsa raste aktive janë 116 pacient, prej tyre 27 të hospitalizuar dhe me gjendje shëndetësore stabile.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat