Dënohet me 1,500 euro gjobë i akuzuari për dhënie të 20 eurove ryshfet

Gjilani

Dënohet me 1,500 euro gjobë i akuzuari për dhënie të 20 eurove ryshfet

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 14:13
Pamje nga gjykimi

Gjykata Themelore në Gjilan, të mërkurën, e ka dënuar me 1,500 euro gjobë të akuzuarin për dhënie të ryshfetit, Jovica Maksiomoviq.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall nga gjykatësi Islam Thaçi, pasi i njëjti aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur në mes të akuzuarit Maksiomoviq dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, më 21 shtator 2020.

Paraprakisht, në seancën e së mërkurës, prokurori Isuf Sadiku deklaroi se mbetet në tërësi pranë marrëveshjes së arritur me të akuzuarin, duke i propozuar gjykatës që e njëjta të aprovohet dhe të shqiptohet dënimi i paraparë në të.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Tefik Dushica ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë marrëveshjes së dorëzuar me shkrim, pasi tha se i mbrojturi i tij është dakorduar edhe me shqiptimin e dënimit.

I njëjti i propozoi gjykatës që t’ia mundësonte të mbrojturit të tij që pagesën e dënimit ta bënte me këste, për faktin se ai nuk është në gjendje të mirë ekonomike.

Ndryshe, i akuzuari Maksiomoviq u ngarkua edhe me pagesën e shpenzimeve të procedurës në vlerë prej 20 euro, si dhe shumën prej 50 eurove e cila do të deponohet për Viktimat e Krimeve, të gjitha këto në afat kohor prej 15 ditësh nga dita e marrjes së aktgjykimit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 30 qershor 2020, ka përpiluar aktakuzë kundër të akuzuarit Jovica Maksiomoviq, me arsyetimin se i njëjti, më 28 maj 2020, rreth orës 22:30 minuta, në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, në hyrje të Republikës së Kosovës, duke e drejtuar kamionin e markës “Volvo”, ndalet për t’i kryer procedurat e kalimit të kufirit nga zyrtarët policor e doganor dhe gjatë kontrollës së përbashkët të zyrtarit policor dhe doganor, të njëjtit gjejnë mall komercial të fshehur/të padeklaruar (produkte dhe kozmetike dhe të tekstilit) në kabinën e kamionit.

Tutje, thuhet se i pandehuri Maksiomoviq ia ofron 20 euro zyrtareve të lartpërmendur, duke iu thënë “mos e boni të madhe këtë punë dhe së bashku merrni 20 euro dhe pini diçka, hani”, me ç’rast zyrtari policor i fotografon paratë dhe të njëjtat i konfiskon, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këto veprime, Jovica Maksiomoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat