​Haziri: Plani strategjik për zhvillim socio-ekonomik synon rritje të qëndrueshme të bizneseve

Gjilani

​Haziri: Plani strategjik për zhvillim socio-ekonomik synon rritje të qëndrueshme të bizneseve

Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 19:52
Pamje nga takimi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri prezantoi perspektivën e tij mbi mundësitë për zhvillimin lokal të ndërmarrësisë gjatë forumit virtual “Përkrahja e Ndërmarrësisë: Një perspektivë lokale”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në kuadër të aktivitetit Java Globale e Ndërmarrësisë 2020.

Ai me këtë rast tha se strategjia lokale për zhvillim socio-ekonomik dhe strategjia për gratë në ndërmarrësi e Komunës së Gjilanit synojnë të sigurojnë një mjedis më të favorshëm për aktivitete afariste që ndikojnë në rritje të qëndrueshme ekonomike.

“Kjo mund të arrihet përmes promovimit të konkurrencës, ndërmarrësisë dhe inovacionit. Strategjitë gjithashtu kanë në fokus uljen e shkallës së papunësinë, veçanërisht te të rinjtë, përmes inkurajimit të ndërmarrësisë”, ka thënë Haziri.

Ai theksoi se prioritet është promovimi i mundësive për biznese dhe aktivitete të përbashkëta midis komunës dhe sektorit privat, për ofrimin e produkteve dhe shërbime më të mira në infrastrukturë, turizëm, energji.

“Komuna brenda kompetencave dhe me efikasitet ofron një numër të madh shërbimesh komunitetit të biznesit me qëllim të krijimit të lehtësirave përmes dhënies në shfrytëzim të pronave publike bizneseve prodhuese, të cilat kanë plane për zgjerim dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Haziri.

Ai ka thënë se një tjetër prioritet është edhe funksionalizimi i Inkubatorit të Biznesit dhe transformimi në një Qendër Inovacioni për ofrimin e hapësirës dhe trajnimeve për bizneset e reja në teknologji informative.

“Inkubatori i biznesit do të ndikojë edhe në ndërlidhjen e tregut të punës me sistemin e arsimit dhe inkurajimin e ndërmarrësisë në fushën e teknologjisë informative”, ka thënë kreu i Gjilanit.

Ndryshe, Komuna e Gjilanit gjatë muajit qershor ka zhvilluar një studim me biznese për të vlerësuar ndikimin e pandemisë në ekonominë lokale dhe të gjeturat tregojnë se janë ndikuar negativisht të gjithë sektorët e ekonomisë dhe se pandemia rrezikon më së shumti bizneset e vogla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat