Komuna e Gjilanit deklarohet rreth mbylljes së faqes “SPITALI I GJILANIT” në Facebook

Gjilani

Komuna e Gjilanit deklarohet rreth mbylljes së faqes “SPITALI I GJILANIT” në Facebook

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 12:30
Foto Ilustrim

Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, thotë se nuk kanë asnjë informatë për faqen “Spitali i Gjilanit” në rrjetin social Facebook, meqë kjo faqe nuk administrohet nga komuna, por është në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo faqe është mbyllur pas kritikave të cilat janë drejtuar nga kjo faqe drejt ministrit të shëndetësisë, Armend Zemaj dhe kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për mungesën e oksigjenit për pacientët me COVID-19.

Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, nënkryetari Ismajli, ka thënë se nuk kanë asnjë informacion lidhur me këtë rast, duke shtuar se kanë kërkuar ndihmë për furnizim me oksigjen edhe nga komuna e Kumanovës, por që ende nuk kanë konfirmim nga kjo komunë.

“Nuk kemi informata për këtë faqe sepse nuk administrohet nga komuna, ju e dini që Spitali i Gjilanit është në kompetencë të MSH-së, komuna nuk ka asnjë kompetencë në spital”, ka thënë Ismajli për redakinë.

Z.Haziri ka dy ditë që është duke e parë mundësinë e furnizimit edhe nga komuna e Kumanovës, por që ende nuk kemi konfirmim nga kjo komunë”, shton tutje ai.

Në shkrim u tha se pacientët po kërkojnë ndihmë në QKUK në Prishtinë, duke kritikuar ministrin Zemaj dhe kryetarin Haziri se nuk po bëjnë asgjë për ta përmirësuar këtë situatë.

“Në mungesë të oksigjenit ka pacientë që detyrohen të kërkojnë ndihmë në Prishtinë. Nysret Hajrullahu thotë se ka vështirësi në furnizim me oksigjen. Armend Zemaj vetëm sa për selfije dhe konsum ditor po premton zgjidhjen e këtij problemi. Lutfi Haziri ka ra në gjumë dimëror”, thuhej në postimin e Spitalit të Gjilanit në Facebook.

Pas këtij postimi, kjo faqe është deaktivizuar dhe nuk gjendet më në këtë rrjet social.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat