Rrëfimi i dëshmitarit: I pashë me sytë e mi se si paramilitarët serbë i ekzekutuan Naser Nezirin, Adem Salihun dhe Vebi Milazimin

Gjilani

Rrëfimi i dëshmitarit: I pashë me sytë e mi se si paramilitarët serbë i ekzekutuan Naser Nezirin, Adem Salihun dhe Vebi Milazimin

Më: 18 prill 2021 Në ora: 07:20
Xhelil Neziri

Xhelil Neziri nga Velekinca e Gjilanit i ka parë me sytë e tij se si paramilitarët serbë i ekzekutuan djalin e axhës, Naser Nezirin, nipin Adem Salihun dhe bashkëfshatarin Vebi Milazimin.

Xhelili ka rrëfyer tmerrin e dhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë prillit të vitit 1999.

“Bashkë me Naserin,  më 10 prill 1999 e kemi parë kur e kanë vra axhën Vebi, i cili nuk ka pranu me lëshu shtëpinë e tij në Velekincë. Ndërkaq, me 16 prill, në fshatin Malishevë , para syve të mi e vranë edhe djalin e axhës, Naserin dhe nipin, Adem Salihu”, ka thënë Neziri.

“Ka qenë ngjarje shumë e rëndë për neve, si fëmijë. Kurrë nuk e harroj…”, ka rrëfyer dëshmitari i tri vrasjeve makabre.

Përpos që e pa me sytë e tij, Xhelilin e detyruan që t’i mbulojnë dy të vrarët në kohë sa më të shpejt.

“Pas vrasjes së nipit Adem Salihu dhe djalit të mixhës Naser Neziri që ishin së bashku me mua, na kanë detyruar që t`i mbulojmë me dheun që gjendej aty në vendin ku janë vrarë në arën e lëvruar, së bashku me Agimin nga Malisheva, për një kohë shumë të shkurtër”, rrëfen tmerrin e përjetuar, Xhelil Neziri.

Por, 22 vjet pas kësaj masakre makabre, drejtësia akoma nuk e ka thënë fjalën e saj.

Dëshmitari i këtyre tri vrasjeve tregon vrasësit nuk ka mundur t’i identifikojë, por thekson se në grupin e paramilitarëve serbë ka qenë edhe një rus.

“Gjatë qëndrimit në Maqedoni jam intervistuar nga Claudia Moser, një punëtore e të drejtave të njeriut në Kampin Stankovec 2 për gjithë ngjarjen që ka ndodhur dhe pas luftës kam kërkuar nga KFOR-i amerikan që t’i gjejnë vrasësit, ku kam dhënë intervistë te ta. Nga TMK-ja kam kërkuar se mos kanë ndonjë fotografi të tyre apo ndonjë gjurmë që kanë lënë, por vrasësit nuk kam mund t’i identifikoj. E di se në grupin e paramilitarëve serbë ka qenë edhe një rus që na ka keqtrajtuar në atë rast”, thotë Neziri.

“Faji për këtë i mbetet bashkësisë ndërkombëtare që nuk ka bërë presion ndaj Serbisë për të gjetur vrasësit dhe akterët e të gjithë vrasjeve në Kosovë, pasi që ata i dinë këto gjëra dhe kanë shënime për këtë. Pas të gjithë këtyre vrasjeve, dëbimeve, masakrimeve, djegieve të vendbanimeve buron emërtimi ndërkombëtar – gjenocid, për të cilën Serbia duhet të dënohet”, shton Neziri.

Por, një lehtësim për të dhe familjet e të vrarëve erdhi në 22-vjetorin e kësaj masakre, pasi u inaugurua pllaka përkujtimore në kujtim të pesë martirëve.

“Të gjithë familjarët jemi të kënaqur për këtë pllakë përkujtimore. Mendoj që çdo vit duhet t’i përkujtojmë të gjithë të rënët në mënyrën që të mos e harrojmë të kaluarën se çfarë ka ndodhur.”, ka thënë dëshmitari, Xhelil Neziri.

Ndërkohë, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, thotë se liria që e gëzojmë sot është falë edhe gjakut, sakrificës e vetëmbrojtjes së këtyre familjarëve që sot hynë në këtë pllakë.

“Kjo pllakë përkujtimore shënon historinë e Velekincës, historinë që e kanë përjetuar familjarët. Këta pesë martirë janë me mbiemra të ndryshëm, por edhe me dallim moshe. Nuk është zgjedhur për ekzekutim as fëmija 16 vjeçar e deri te plaku 80-vjeçar veç sepse e kanë mbrojtur pragun e shtëpisë”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Këshillit të fshatit Velekincë, Skënder Bajrami, e ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komunën e Gjilanit për financimin e kësaj pllake përkujtimore, në nderim të të vrarëve në luftën e fundit.

“Ne i falënderojmë shumë sepse duke nderuar martirët tanë, kanë nderuar së pari vetën e tyre dhe Komunën”.

Ndryshe, forcat paramilitare serbe kanë ekzekutuar në prillin e vitit 1999 pesë shqiptarë të Velekincës: Naser Neziri, Ajet Isaku, Vebi Milazimi, Blerim Halili dhe Zejnullah Rashiti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat