Haziri: Takimet B2B janë një mundësi e mirë e lidhjes së bizneseve mes vete për të krijuar qëndrueshmëri

Gjilani

Haziri: Takimet B2B janë një mundësi e mirë e lidhjes së bizneseve mes vete për të krijuar qëndrueshmëri

Më: 28 prill 2021 Në ora: 16:22
Lutfi Haziri

Në Komunën e Gjilanit është mbajtur sot punëtori përmes projektit të përkrahjes së Bashkimit Evropian për konkurrueshmërinë e sektorit kosovar ICT-së, i cili ka qëllim mbështetjen dhe nxitjen e konkurrencës në sektorit privat në fushën dixhitale dhe prodhimeve tradicionale, për të ndikuar kështu në zhvillimin ekonomik.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se takimet B2B janë një mundësi e mirë e lidhjes së bizneseve mes vete për të krijuar qëndrueshmëri dhe ngritje të sigurtë që nga përpunimi i ushqimit dhe produkteve të ndryshme e deri te prodhimi dhe përpunimi i drurit dhe interierit deri te përdorimi i teknologjisë dhe inovacionit.

“Komuna e Gjilanit mbetet e vendosur në zhvillimin e sektorit të prodhimeve vendore dhe agroprodukteve në përgjithësi. Këtyre ditëve kemi inauguruar Inkubatorin e agro-biznesit dhe jemi të vendosur që bashkërisht atë ta bëjmë një shembull të mbështetjes për sektorin privat në të ardhmen. Po ashtu, prodhuesit gjilanas që janë të njohur tashmë i bëjnë vazhdimisht nder Gjilanit me produktet e tyre në tregjet e njohura evropiane e botërore. Komuna e Gjilanit është kujdestare e mbështetjes për sektorin privat në përgjithësi. Gjilani është prodhuesi i ekspertëve të rinj në fusha të ndryshme dhe në IT që është, poashtu, një përparësi e madhe”, ka thënë kryetari Haziri.

Ahmet Jetullahu, nga projekti i ICT-së, ka thënë se angazhimi i përbashkët përmes mbështetjes se Bashkimit Evropian, institucioneve të qeverisjes në Kosovë dhe sektorit privat, që bashkërisht të bëhet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, permës aftësimit dhe trajnimeve për sektorë të ndryshëm, që janë baza e suksesit të një biznesi.

Në këtë rrugë është punuar jashtëzakonisht shumë nga ICT-ja në Kosovë që të ndihmojë bizneset dhe ndërmarrësit në përgjithësi për të arritur me produktet e tyre në tregjet rajonale e perëndimore dhe kështu të sigurohet edhe cilësia, çmimi dhe konkurrenca edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Agron Namani nga Ask Food, ka thënë se ky takim mes bizneseve është jashtëzakonisht i mirëseardhur dhe ndihmon shumë për zhvillimin ndërsektorial dhe njëkohësisht edhe për depërtimin në tregjet Evropiane që janë mundësuar përmes ICT-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat