​Komuna e Gjilanit, UNICEF dhe ambasada e Austrisë me grante për të rinjtë

Gjilani

​Komuna e Gjilanit, UNICEF dhe ambasada e Austrisë me grante për të rinjtë

Më: 17 maj 2021 Në ora: 17:00
Lutfi Haziri

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në takimin online me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, drejtorin e UNICEF-it, Murat Sahin dhe të 20 grupe të të rinjve në kuadër të programit Up shift, kanë konfirmuar për mbështetjen e të rinjve me grante deri në një mijë euro.

Haziri, në edicionin e katërt të punëtorisë ka thënë se 20 grupe të të rinjve me 400 të rinj gjithsej janë konkurrent për të fituar grante në vlerë prej një mijë euro.

“Mosha mesatare e pjesëmarrjes është të rinjtë nga 15 deri 18 vjet nxënës të shkollave të mesme. Komuna e Gjilanit e mbështet këtë program me të gjitha kapacitetet e saj. Mbetet edhe më tutje që rinia të jenë ata, të cilët me inovacionet e tyre të shkaktojnë ndryshime pozitive dhe të ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik gjatë të ardhmes”, tha Haziri.

Ambasadori Christoph Weidinger, ka inkurajuar të rinjtë që të jenë të vendosur që me idetë e tyre inovative të zhvillojnë projekte, të cilat do të jenë të dobishme në shoqëri dhe kështu të ndikojnë edhe në nxitjen e konkurrencës përmes vlerave.

Edhe drejtori i UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, ka potencuar se gjithmonë mbështetja për komunitetin dhe të rinjtë në veçanti është me prioritet pasi vetëm të rinjtë bashkëpunues dhe të vendosur mund të ndikojnë në ndryshimet shoqërore.

Omer Saiti, nxënës i gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti”, pjesë e projektit “Digi-19” dhe Anjesa Banushi nga shkolla e mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, pjesë e projektit “Speak Up”, kanë ndarë përvojat e tyre dhe synimet që kanë për të ardhmen pas këtij projekti.

Punëtoria përfundon të premten me ç'rast do të shpallen fituesit e punëtorisë dhe projektet e tyre do të mbështeten me fonde nga një mijë euro për secilin projekt dhe do të monitorohen gjatë fazës së implementimit të projekteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat