​Gjilani, Kamenica e Vitia nënshkruan memorandum mirëkuptimi për mbështetjen financiare të strehimores Liria

Gjilani

​Gjilani, Kamenica e Vitia nënshkruan memorandum mirëkuptimi për mbështetjen financiare të strehimores Liria

Më: 24 maj 2021 Në ora: 17:05
Foto nga takimi

Me iniciativë të Zyrës rajonale të OSBE-së në Gjilan, është nënshkruar sot memorandum mirëkuptimi me tri komuna, Gjilanin, Vitinë dhe Kamenicën, për ofrimin e mbështetjes financiare për strehimoren rajonale Liria, e cila strehon viktimat e dhunës në familje nga këto tri komuna.

Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua nga Lutfi Haziri, Qëndron Kastrati dhe Hasan Alia, sipas të cilit kontributi financiar i Gjilanit për vitin 2021 është 10 mijë euro, Kamenica ndan 4 mijë euro, ndërkaq Vitia 2500 euro.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati dhe nënkryetari i Vitisë, Hasan Alia, kanë falënderuar Zyrën rajonale të OSBE-së për iniciativën që ky memorandum për mbështetjen e qendrës Liria ta sheh dritën sot.

Haziri tha se Komuna e Gjilanit ka vullnetin maksimal për ta mbështetur strehimoren Liria.

“Fatkeqësisht, është që dhuna në familje në pandemi është rritur dhe duhet të punojmë bashkërisht që jenë raste të izoluara dhe të punojmë edhe më shumë në mbrojtje dhe njëkohësisht edhe në vetëdijesim që sa më pak raste të shënohen në regjionin tonë”, tha Haziri.

“Komuna është e vendosur në ofrimin e të gjitha shërbimeve profesionale, që nga punëtorët social e deri të psikologët. Sa më shumë zhvillohen shoqëritë tona, aq më të mëdha janë edhe problemet. Angazhimi i OSBE-së është në funksion të bashkëpunimit me ne dhe në kuadër të kësaj, Komunat e kanë më të lehtë edhe trajtimin e këtyre rasteve”, shtoi Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat