Dënohet me 300 euro gjobë me kusht i akuzuari për vjedhje të rrymës

Gjilani

Dënohet me 300 euro gjobë me kusht i akuzuari për vjedhje të rrymës

Më: 28 maj 2021 Në ora: 11:18
Gjykata

Është dënuar me 300 euro gjobë me kusht i akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Fadil Pajaziti.

Sipas aktgjykimit të shpallur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet në afat prej një viti, nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Gjykatësja Drane Simani bëri të ditur se i akuzuari gjithashtu obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, e dëmtuara KEDS-Distribuimi në Gjilan është udhëzuar në kontest civil, për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Ndryshe, në seancën gjyqësore të mbajtur me 26 maj 2021, Fadil Pajaziti e ka pranuar fajësinë.

Në fillim të asaj seance, prokurorja Manastiri ka bërë rikualifikimin e veprës penale me Kodin e ri  Penal, ku tashmë i akuzuari ngarkohet me veprën penale “vjedhje e shërbimeve” nga neni 314, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 5 shkurt 2018, Fadil Pajaziti akuzohet se më 29 nëntor 2018, në lokalin e tij në Radivojc të Komunës së Vitisë, si shfrytëzues i energjisë elektrike, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike. Në aktin akuzues thuhet se nga punëtorët e autorizuar të KEDS-it, Ekipa e Kontrollës, me rastin e kontrollit të pikës matëse, kanë konstatuar se i pandehuri ka futur shiritin filmik në anën e djathtë të njehsorit në drejtim të diskut, ku me këtë veprim energjia elektrike e shpenzuar nuk është llogaritur.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS–Distrikti Gjilan i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 1,234.31 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat