Detyrohet Komuna e Kamenicës që mësimdhënësit të shkollës fillore në fshatin Muçivërc t’ia paguajë shujtat ditore

Gjilani

Detyrohet Komuna e Kamenicës që mësimdhënësit të shkollës fillore në fshatin Muçivërc t’ia paguajë shujtat ditore

Më: 29 maj 2021 Në ora: 06:33
Gjykata Themelore në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e mësimdhënësit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët (SHFMU) “17 Shkurti” në Muçivërc të Kamenicës, Taulant Lenjani.

Kjo gjykatë e ka detyruar Komunën e Kamenicës, përkatësisht Drejtorinë Komunale të Arsimit, që paditësit t’ia paguajë kompensimin e shujtave ditore për ditët e punës në shumë prej 1,578 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të 7 majit të këtij viti, gjykata e ka detyruar të paditurën që paditësit t’ia kompensojë edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 269 euro, në afat prej shtatë ditësh nga marrja e aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Kundër këtij aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Artan Abazi, palët e pakënaqura janë njoftuar se kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Mësimdhënësi Taulant Lenjani, më 19 shkurt 2020, ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, me arsyetimin se ai më 5 shtator 2016 ka themeluar marrëdhënie pune pranë Sh.F.M.U “17 Shkurti” në Muçivërc të Kamenicës, si mësimdhënës dhe se paditësi është në normë të plotë mësimore, ku brenda një jave punon 40 orë.

Me kërkesëpadi, paditësi po kërkon nga e paditura që atij t’i paguajë shujtat ditore për ditët e punës gjatë viteve shkollore 2016/2017, 2017/2018, 2018/2019, 2019/2020 në shumë prej 1,578 euro, me kamatë ligjore nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive, brenda afatit prej shtatë ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat