Haziri: Dr. Nisreti është kujdesur 24 orë për t’i siguruar qytetarëve të Gjilanit shtrat, dhomë e oksigjen në këtë periudhë pandemie

Gjilani

Haziri: Dr. Nisreti është kujdesur 24 orë për t’i siguruar qytetarëve të Gjilanit shtrat, dhomë e oksigjen në këtë periudhë pandemie

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 18:06
Lutfi Haziri

Gjilan, 24 qershor 2021 – Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunë së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur mbledhje komemorative kushtuar jetës dhe veprës së dr. Nisret Hajrullahu, i cili është ndarë nga jeta duke lënë një boshllëk të madh në shëndetësinë terciare të Gjilanit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, teksa ka folur në superlativ për veprimtarinë e Hajrullahut, ka thënë gjithmonë e ka dhënë maksimumin e tij si doktor, duke na bërë të gjithëve krenarë.

“Jemi mbledhur këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut që ishte jo vetëm udhëheqës shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, por ishte njeriu që ka shëruar familjarët tanë, prindërit tanë, qytetarët e Gjilanit dhe më gjerë dhe ka luftuar për shëndetin e secilit. Këto ditë të cilat i kemi kaluar në përballjen me pandeminë globale Covid-19, e kanë luftuar ne frontin e parë mantelbardhët. Edhe ai e ka përjetuar dhe e mundi atë sfidë me virusin, por jeta është kjo, që në mënyrë misterioze prekë në zemrën e mirë e të bardhë, e na mori njeriun e dashur, që na ka vlerësuar gjithmonë, ishte pranë nesh me të gjithë qenien e tij. Ai me detyrën që kishte luftoi maksimalisht” ka theksuar kryetari Haziri.

“Gjatë kësaj kohe, së bashku me doktorët, pulmologët, e infermierët, është kujdesur gjatë 24 orëve për t’i siguruar qytetarëve të Gjilanit shtrat, dhomë, oksigjen dhe të gjitha shërbimet në këtë periudhë pandemie. Boshllëkun që ka lënë prapa doktor Nisreti, është shumë i madh dhe ai vërehet që nga familja e tij, nga kolegët në vendin e tij të punës, nga profesionistët dhe nga të gjithë miqtë që ishin të shumtë. Ai, si mik i imi, definitivisht ka qenë në rresht me të gjithë të tjerët, prej rinisë dhe angazhimeve të panumërta për të ndihmuar dhe vepruar edhe politikisht kur ka qenë nevoja. Mbi të gjitha, ai ka mbetur njeriu ynë i mirë, mjeku i mirë dhe shumë i veçantë dhe familjar i mrekullueshëm. Pusho i qetë miku im i shtrenjtë”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se tek doktori ka parë vetëm energji, pozitivitet, dashuri dhe ideal të pastër për të bërë mirë dhe për të zhvilluar shëndetësinë e Kosovës.

“Nisreti nuk është ankuar pafund, por ka punuar pafund, ai ka besuar se mund të ndryshohet edhe Gjilani edhe Kosova edhe shëndetësia. Bashkëpunimi në kuadër të punës ishte shumë i veçantë, ai ishte optimist dhe i vendosur që ta jap maksimumin nga vetja e tij. Ai më ka dhënë jetë dhe vullnet edhe mua si ministër dhe ishte i veçantë dhe i çmuar, duke e kujtuar gjithmonë si shembull për punë dhe si një njeri i Kosovës që mund të bëjë ndryshime”, ka thënë ai mes tjerash.

Me një fjalë është paraqitur edhe ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili tha se ishte goditje shumë e rëndë për të gjithë me ikjen e papritur të doktor Nisretit.

“Jemi tubuar sot që të jemi bashkë në këtë humbje të pa kompensueshme të familjes Hajrullahu, kolegëve të tij doktorë, profesionistëve të Anamoravës dhe të gjithë atyre që e kanë njohur. Dr. Nisreti ishte parimor, i vendosur, i rregullt dhe i tillë ishte edhe në jetën politike dhe qëllimet e tij gjithmonë ishin vetëm të mira”, ka thënë Mustafa.

Në emër të Spitalit Regjional të Gjilanit, drejtori Arsim Emini, ka thënë se para veprave të mëdha të doktor Nisretit fjalët janë pak.

“Dr. Nisreti ishte një njeri shumë i madh në të gjitha dimensionet dhe si i tillë është shumë vështirë ta përmbledh dikush doktorin sepse ai për 40 vjet të karrierës së tij ka lënë vepra të cilat gjithmonë edhe sot edhe nesër edhe gjithmonë do të jenë prezent. Prandaj, doktor Nisreti është ndarë nga ne vetëm fizikisht, ndërsa do të jetë i pranishëm me neve gjithmonë përmes kujtimit për këshillat e tij, për përvojat e shumta dhe për shembullin e profesionalistit të nivelit shumë të lartë”, ka thënë drejtori Emini.

Në emër të familjes ka folur Dardan Hajrullahu, djali i të ndjerit dr. Nisret Hajrullahu, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri për nderimet që ia kanë bërë babait dhe të gjithë të pranishmit.

“Do të jemi të fortë bashkë me ju këtu të pranishëm dhe me mesazhe të panumërta që po na vijnë vazhdimisht. Do të jemi të fortë e pa lot, sepse kështu na ka mësuar babi, të jemi të fortë dhe me kokën lartë të ecim përpara së bashku”, ka thënë ndër të tjerash Hajrullahu.

Ndryshe, dr. Nisret Hajrullahu është varrosur sot në varrezat e fshatit Përlepnicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat