QKMF e Gjilanit pranon donacione nga një spital i Danimarkës

Gjilani

QKMF e Gjilanit pranon donacione nga një spital i Danimarkës

Më: 8 mars 2017 Në ora: 16:41
QKMF e Gjilanit

Falë angazhimit të bashkatdhetarit gjilanas, Nexhat Shemsiu, të mërkurën spitali danez “Falck Danmark A/S”, ka dhuruar për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, një autoambulancë dhe pajisje të tjera përcjellëse, që i krijon kushte më të mira shëndetësisë primare në Gjilan dhe pacientët.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke falënderuar qytetarin e Gjilanit Nexhat Shemsiu, ka thënë se ndihma e kësaj natyre është një fuqi shtesë dhe përkrahje e punës së mjekut në sektorin primar, derisa ka garantuar që kjo do të zbusë në masë të madhe nevojat e shumta që ka Gjilani në këtë sektor.

“Kjo autoambulancë plotëson nevojat e QKMF-së dhe është pjesë e shpëtimit të jetëve për qytetarin e Gjilanit dhe më gjerë. Asnjëherë nuk do të harrohet, si një ndihmë e cila shëndetësisë primare i mundëson kushte më të mira dhe Nexhatin si autor të saj”, ka thënë kryetari Haziri.

Nexhat Shemsiu nga fshati Përlepnicë, donator nga Danimarka, ka thënë se ky donacion ka ardhur falë gatishmërisë dhe angazhimit të kryetarit Haziri dhe stafit të tij, për të punuar në këtë drejtim që shëndetësia primare të jetë përfituese e kësaj autoambulance.

Ndërsa, drejtori i QKMF-së Fejzullah Berisha, ka falënderuar angazhimin e donatorit dhe Komunës së Gjilanit duke thënë se kjo ambulancë ishte nevojë shumë e madhe, pasi destinacionet që ka QKMF për shkak të emergjencave janë të shpeshta në drejtim të Prishtinës dhe shpeshherë edhe në drejtim të Tiranës.

Ai tha se ky donacion, sa është humanitar ka edhe anën tjetër atë të shpëtimit të jetëve dhe krijimit të kushteve për mjekët në përgjithësi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat