Komuna e Gjilanit fillon implementimin e programit të ri E-Prokurimi

Gjilani

Komuna e Gjilanit fillon implementimin e programit të ri E-Prokurimi

Më: 8 mars 2017 Në ora: 18:20
Gjilani

Komuna e Gjilanit, si kampione në Kosovë për shndërrimin e administratës lokale në digjitalizim të shërbimeve për qytetarë, të mërkurën ka lansuar në prezencë të shoqërisë civile dhe operatorëve ekonomik, projektin tjetër nga fusha e Prokurimit Publik, që është fillim i ri për një sektor të ndjeshëm.

Departamenti i Prokurimit, ka filluar edhe praktikisht zbatimin e ligjit të ri të Prokurimit Publik, ku për herë të parë në nivel të Republikës së Kosovës po bëhet lansimi i punës përmes platformës E-Prokurimi, me qëllim të rritjes së transparencës gjatë kontraktimit të punës nga ana e Komunës së Gjilanit dhe operatorëve ekonomik.

Drejtori i departamentit, Sali Kqiku, ka thënë se Komuna e Gjilanit është e para në nivel vendi që po nis përdorimin e kësaj forme, duke përfshirë të gjitha njoftimet për kontratë, pranimin e ofertave dhe procedura të tjera të cilat kalojnë vlerën 10 mijë euro.

Ndërkaq, nënkryetari Rexhep Kadriu, ka thënë se kjo mënyrë e punës ka qenë kërkesë e hershme e kryetarit Haziri dhe angazhim i vazhdueshëm në shmangien e kontaktit mes operatorit me stafin e Komunës së Gjilanit.

Ai u ka bërë thirrje për të gjithë operatorët ekonomik, por edhe për shoqërinë civile që të aplikojnë përmes kësaj platforme konform ligjit të prokurimit, sepse është shmangie e kontaktit të operatorëve ekonomik dhe zyrtarëve të prokurimit.

Ndryshe, Ministria e Financave, si kreatore e këtij programi, duhet urgjent të ndërmarrë veprime për të lehtësuar funksionalizimin dhe ndihmën Komunës së Gjilanit në E-Prokurim, njofton Zyra e informacionit pranë Komunës së Gjilanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat