Hapet Panairi i prodhimeve të Anamoravës

Gjilani

Hapet Panairi i prodhimeve të Anamoravës

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 11:53
Pamje nga panairi

(E plotësuar) - Gjilani ka brende jashtëzakonisht të fuqishme që shiten në tetë vende BE-së, Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Afërt.

Kështu u tha sot në hapje të panairit të Anamoravës në sheshin "Agim Ramadani" në Gjilan, i cili ka për qëllim promovimin e prodhimeve të kësaj ane, ngjarje kjo e organizuar nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe ajo e Bujqësisë e komunës së Gjilanit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri,  tha se këtë vit është hapur panairi i Anamoravës me brendin e ri me prodhimet e Anamoravës, “Made in Anamorava” dhe se ky aktivitet po organizohet në muajin e mërgimtarëve me qëllim që të njoftohen ata me prodhimet vendore.

Haziri: Gjilani ka brende të jashtëzakonshme

“Gjilani ka brende dhe kompani jashtëzakonisht të mëdha të fuqishme që shesin prodhimet në tetë vende të BE-së, në Lindje të Mesme, në Lindje të Largët, tashmë dhe kompani si Moea,   Ask food, Kalabria, apo Fluidi, praktikisht janë pjesë e industrisë së mishit. Ne kemi edhe prodhues të vegjël dhe prodhues familjar që merren me kultivimin dhe merren me përpunimin e ushqimeve. Këtë vit në kuadër të muajit të mërgimtarëve, muajit të pritjes së atdhetarëve dhe bashkëvendëseve tanë që jetojnë në Evropë, kryesisht, ne e organizojmë këtë aktivitet për t’i njoftuar me prodhimet vendore dhe për t’i favorizuar këta prodhues, në mënyrë që me qenë sa më të pranishëm në publik,” tha Haziri.

Haziri tha se gjatë muajit korrik dhe gusht do të punojnë me marketet e mëdha në Gjilan që të kenë këndin e prodhimeve të Anamoravës, me qëllim që këto prodhime të shiten sa më shumë.

Ndërsa, drejtori për Zhvillimit Ekonomik në komunën e Gjilanit, Agim Zuzaku tha se qëllimi i këtij panairi është promovimi i produkteve nga Anamorava.

Zuzaku: Po promovohen produktet e Anamoravës

“Ky panair do të zgjasë dy ditë, do me thënë sot edhe nesër 14 dhe 15 korrik dhe do të zgjatë pastaj në formën e tregut për promovimin apo shitjen e prodhimeve vendore nga Anamorava siç e përmendi edhe kryetari i komunës, do me thënë qëllimi i këtij projekti është promovimi i produkteve nga Anamorava ku fermerët tanë kanë mundësi t’i shesin produktet e tyre të freskëta, ndërsa qytetarë apo edhe mërgimtarët tashmë pasi që jemi në muajin e mërgimtarëve këtu në Gjilan do të kenë mundësi të blejnë prodhime të freskëta,” tha Zuzaku.

Ai tha se me qëllim të ofrimit të kushteve më të mira për fermerët do të shohin vendet që ka më shumë frekuentim me qëllim të krijimit të mini-tregjeve për shitje më të madhe të produkteve të kësaj ane.

Përpunuesi i prodhimeve të qumështit të dhisë, Avni Syla nga Bresalci i Gjilanit shprehet i kënaqur me mbështetjen komunale, dhe kërkoi që ky panair të organizohet dy herë brenda vitit.

Syla: Kemi përkrahjen qind për qind

“Jam prodhues i djathit të dhisë, kemi krerë 150 krerë tonat dhe jemi prodhues të djathit, gjitha çka janë bulmete të dhisë i prodhojmë. Në panair çdo vit marrim pjesë, pasi reklama po e bën të veten. E kemi qind për qind mbështetjen, vinë na kontrollojnë, na këshillojnë, e kemi mbështetjen e komunës shumë mirë”, tha Syla.

Në panair po marrin pjesë prodhues të prodhimeve vendore të pemëve, perimeve, prodhimeve të qumështit, pijeve të ndryshme, mishit, veshjeve tradicionale. Panairi do të jetë i hapur dy ditë./B.Ibishi/

Promovohen prodhimet e Anamoravës

Gjilani ka brende jashtëzakonisht të fuqishme që shiten në tetë vende të Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Afërt.

Kështu u tha sot në hapje të panairit të Anamoravës në sheshin "Agim Ramadani" në Gjilan, i cili ka për qëllim promovimin e prodhimeve të kësaj ane.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se këtë vit është hapur panairi i Anamoravës me brendin e ri me prodhimet e Anamoravës, “Made in Anamorava”.

“Gjilani ka brende jashtëzakonisht të fuqishme që shesin në tetë vende të Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Afërt. Në muajin e mërgatës ne organizojmë këtë aktivitet me i njoftuar mërgimtarët me produktet vendore dhe për t'i favorizuar këta prodhues”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku tha se qëllimi i këtij projekti është zhvillimi i produkteve nga Anamorava dhe fermerët kanë mundësi t’i shesin produktet e tyre të freskëta.

Pjesëmarrësit e këtij panairi janë ndarë të kënaqur me organizimin dhe kërkuan që ky panair të organizohet së paku dy herë brenda vitit.

Në panair po marrin pjesë prodhues të prodhimeve vendore të pemëve, perimeve, prodhimeve të qumështit, pijeve të ndryshme, mishit, veshjeve tradicionale.

Panairi me produkte të Anamoravës organizohet tradicionalisht çdo vit dhe këtë vit do të zgjasë dy ditë.

Image
Pamje nga panairi
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat