Përfundon me sukses fushata e korrje-shirjeve në Gjilan

Gjilani

Përfundon me sukses fushata e korrje-shirjeve në Gjilan

Më: 4 gusht 2017 Në ora: 12:14
Ramiz Ramadani, në konferencën për media

Zyrtarë komunalë të Gjilanit thanë sot se komuna ka përfunduar me sukses fushatën e korrje-shirjeve në gjithë territorin e saj, ndërsa sipas rendimenteve aktuale pritet të plotësohen nevojat bazike për banorët e komunës rreth 58 për qind.

Drejtori për Bujqësi, Ramiz Ramadani, në konferencën për media, tha se në Gjilan kanë qenë të mbjella me grurë 2800 hektarë, ndërkaq mesatarja e rendimentit për hektar ka qenë 4166 kilogramë.

“Për shkak të kushteve klimatike të pa favorshme, duke filluar nga dimri shumë i ashpër dhe duke vazhduar me mungesë të reshjeve në fazat kritike të bimës, edhe përkundër farave cilësore dhe aplikimit të masave agro-teknike, rendimenti ishte mesatar. Me këtë rendiment sigurohen mbi 11.664  tonë grurë dhe plotësohen nevojat bazike për banorët e komunës rreth  58 për qind”, ka thënë Ramadani.

Ai ka bërë të ditur se fushata është zhvilluar normalisht, duke u respektuar në tërësi çmimin e korrjes dhe të gjitha kushtet e korrjes.

I pari i drejtorisë së Bujqësisë në Gjilan ka apeluar bujqit që mos të digjen hamulloret, por ta bëjnë një lëvrim të cekët me qëllim të ruajtjes së masës organike, e cila mineralizohet dhe shndërrohet në pleh.

Ndryshe, në arat e komunës së Gjilanit kanë qenë të mbjella 2800 hektarë grurë, 80 hektarë elb dhe 30 hektarë tërshërë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat