Mungesa e prodhimeve të Kosovës në tregjet e huaja, sfidë për bizneset

Gjilani

Mungesa e prodhimeve të Kosovës në tregjet e huaja, sfidë për bizneset

Më: 8 shtator 2017 Në ora: 16:19
Panairi rajonal vjeshtor të ndërmarrësisë në Gjilan

Prodhimet e Kosovës ende nuk janë prezente sa duhet në tregun e shteteve fqinje dhe kjo mbetet një sfidë e madhe për bizneset në vend.

Kështu u tha sot në hapje të panairit rajonal vjeshtor të ndërmarrësisë në Gjilan, organizuar nga Agjencia për Zhvillim Rajonal-Lindje dhe Komunës së Gjilanit me mbështetje të zyrës së Bashkimit Evropian.

Në këtë panair për dy ditë me radhë do të ekspozohen produkte të ndryshme të prodhimit dhe punës së bujqve, biznesit dhe ndërmarrësve që veprojnë në Gjilan.

Drejtoresha e RDA-së në Gjilan, Valbona Tahiri, ka thënë se kjo është një mundësi shtesë për bizneset e vogla dhe të mesme që të rriten dhe krijojnë ura lidhëse mes vete për të nxitur shitjen e produkteve të prodhuara në Gjilan dhe Anamoravë.

Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka konfirmuar vazhdimin e mbështetjes për ndërmarrësinë dhe prodhimet vendore në përgjithësi.

“Çdo vjet panairi i korrikut dhe i shtatorit do të jenë pjesë e kalendarit të Komunës, sepse është një mbështetje për fermerët dhe është mbështetje për zhvillimin ekonomik lokal. Krenohemi qe brendi i prodhimeve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Gjilanit, janë gjithandej Kosovës dhe jashtë saj. Produktet e “Made in Kosova” sot gjenden në tregun e gjerë të Evropës dhe më larg, e një pjesë e madhe e tyre është pikërisht nga Gjilani”, tha Haziri.

Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Mia Pazel, ka thënë se prodhimet e Kosovës ende nuk janë prezente sa duhet në tregun e shteteve fqinje, gjë e cila mbetet një sfidë e madhe për bizneset në vend.

Ai kërkoi angazhimin e të gjitha instancave shtetërore për mbështetjen e bizneseve që eksportojnë prodhime jashtë vendit.

Ndryshe, në këtë panair kanë marrë pjesë ndërmarrës nga të gjitha komunat e regjionit të lindjes, të cilët kanë mundësinë e krijimit të urave lidhëse të bashkëpunimit dhe promovimin e prodhimeve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat