Gjendje e rëndë në Luginën e Preshevës, synohet ndërtimi i 100 shtëpive

Gjilani

Gjendje e rëndë në Luginën e Preshevës, synohet ndërtimi i 100 shtëpive

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 11:38
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune dhe koordinimi zëvendëskryetarin, Skënder Memishi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune dhe koordinimi zëvendëskryetarin, Skënder Memishi, nga Fondi Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me të cilin janë koordinuar për aktivitetet e ardhshme në mbështetje të projekteve që janë në interes të një jete më të mirë për shqiptarët e në këto komuna.

Kryetari Haziri tha se gjendja në të cilën janë shqiptarët e Kosovës Lindore, është mjaftë e rëndë dhe në kuadër të angazhimeve do të bashkëpunojmë me këtë fondacion humanitar, në shërbim të një jete më të mirë për shqiptarët atje.

“Gjendja ekonomike dhe sociale është shumë e rëndë për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Është për t’u përshëndetur aktiviteti tashmë i dëshmuar i këtij fondacioni humanitar dhe i gjithë mërgatës shqiptare, të cilët gjithnjë ishin të vendosur në mbështetjen e bashkvendësve të tyre”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Ai ka kërkuar që bashkëpunimi të jetë edhe më i madh, “mbështetja e institucioneve lokale nga këto tri komuna duhet të jetë edhe më intenzive dhe njëkohësisht edhe mbështetja e Gjilanit do të jetë në këtë rrafsh përmes formave të ndryshme, qoftë nga bizneset apo donatorët e tjerë”, ka thënë mes tjerash Haziri.

Skënder Memishi, zëvendëskryetar i fondit humanitar, ka bërë të ditur se ky fond deri më tani ka ndërtuar 57 shtëpi të reja, për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

“Deri më tani kemi ndërtuar 57 shtëpi të reja. Synimet e fondit humanitarë, përmes nismës “Ndërto, Shpëto, Parandalo”, synon që të ndërtoj edhe 100 shtëpi të reja në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Nëse nuk veprohet shpejtë, atëherë do të kemi braktisje të shtëpive për shkak të gjendjes së rëndë dhe mungesës së perspektivës”, ka thënë ai mes tjerash.

Sipas një komunikate të Komunës së Gjilanit, ai gjithashtu e ka informuar kryetarin Haziri për burimet financiare, për mbështetjen që ka ardhur në vazhdimësi nga mërgata shqiptare dhe nga njerëz të vullnetit të mirë gjithandej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat