Lumezi në Gjilan, diskutohet për zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit

Gjilani

Lumezi në Gjilan, diskutohet për zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit

Më: 28 shtator 2017 Në ora: 17:47
Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, Haxhi Dërguti dhe Laura Pula, kanë vizituar sot Prokurorinë Themelore të Gjilanit, ku është diskutuar lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e Strategjisë kundër korrupsionit dhe të arriturat e kësaj prokurorie gjatë zbatimit të saj.

Po ashtu, ata diskutuan edhe për arritjet dhe sukseset e kësaj prokurorie, ku u konstatua se Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka pasur rezultate të mira dhe rritje të efikasitetit të punës.

Gjithashtu, të pranishmit kanë biseduar lidhur me ndryshimet e legjislacionit penal që janë duke u bërë nga grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht ndryshimet në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit.

Sipas një komunikate të Prokurorisë, kryeprokurori Lumezi, dhe anëtarët e komisionit në fjalë, gjatë ditëve në vijim do t’i vizitojnë të gjitha prokuroritë e Kosovës, ku do të diskutojnë me eprorët e prokurorive lidhur me zbatimin e Strategjisë kundër korrupsionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat