Lutfi Haziri: Gjilanin e kemi rikthyer në bastion të LDK-së

Gjilani

Lutfi Haziri: Gjilanin e kemi rikthyer në bastion të LDK-së

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 18:12
Lutfi Haziri

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovovës do të bëj marrëveshje vetëm me qytetarë.

Sipas tij edhe në komunat ku LDK-ja nuk është në balotazh, do të bëj partneritet në funksion të shtetit ligjor dhe largimit të problemeve që kanë qytetarët.

“Në gjitha komunat ku LDK është në balotazh, por edhe në komunat tjera ku kemi ndikim si në Mitrovicë, Prizren, Gjakovë, Klinë, Shtime apo Kaçanik ne do të bëjmë partneritet në interes të qytetarit. Duke i dhënë mundësi funksionimit të shtetit ligjor, dhe largimit të problemeve të qytetarëve. Në këtë fazë asnjë raport tjetër nuk shohim që koalicionet partiake janë në funksion të arritjes së rezultatit zgjedhor”, ka deklaruar nënkryetari i LDK-së.

Haziri foli edhe për balotazhin në Gjilan, ku përballë do ta ketë Sami Kurteshin e Vetëvendosjes.

Ai ka theksuar se koalicionet e Vetëvendosjes me funskionerë partiakë, nuk do t’i bëjnë punë, pasi sipas tij Gjilani vetëm ka vendosur.

“Koalicionin e kam me qytetarë, dhe mesazhi i Gjilanit është i qartë dhe i fortë. Koalicionet e Vetëvendosjes me funskionerë partiakë edhe me përfaqësues partiakë nuk i bëjmë punë në asnjë mënyrë”, deklaroi Haziri.

Sipas tij, LDK-ja është unifikuar në rrethin e Anamoravës, e sidomos në Gjilan komunë të cilën Lutfi Haziri po e cilëson tashmë si bastion të Lidhjes Demokratike.

“Jo vetëm Gjilani që foli me 45% apo gati 9 mijë vota dallim nga i dyti në këto zgjedhje, por për shkak se Gjilani ka dhënë orientim dhe ka tregu qartë se është bastion i LDK-së. Pas dhjetë vitesh angazhim politik, duke pasur parasysh se më 2007 kemi humbur zgjedhjet për gjashtë vjet, jemi kthyer më 2013 dhe kemi rikonfirmuar rezultatin me rritje edhe në Kuvend komunal edhe për kryetar të komunave. LDK-ja është unifikuar në Anamoravë, e sidomos në Gjilan”, përfundoi Lutfi Haziri.

Ndryshe në raundin e parë të zgjedhjeve në Gjilan, kandidati i LDK-së për kryetar Lutfi Haziri ka fituar mbi 43% të votave, apo 19 mijë e 543. Duke lënë prapa Sami Kurteshin e VV-së, me 27.34% apo 12 mijë e 310 vota.

Balotazhi i zgjedhjeve lokale do të zhvillohet më 19 nëntor.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë në balotazh në Prishtinë, Ferizaj, Podujevë, Istog, Obiliq dhe disa komuna tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat