Haziri: ‘Partizanin e Plagosur’ e zhvendosi Idriz Seferi dhe mijëra kryengritës shqiptarë, jo unë!

Gjilani

Haziri: ‘Partizanin e Plagosur’ e zhvendosi Idriz Seferi dhe mijëra kryengritës shqiptarë, jo unë!

Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 19:34
Lutfi Haziri

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se protesta e sotme simbolike tregon se gjilanasit e kanë përshëndetur në tërësi zhvendosjen e përmendores së “Partizanit të Plagosur”.

“Në ‘protestë’ morën pjesë një grup simbolik i të rinjve të painformuar për historinë e lapidarit komunist dhe kjo tregon se gjilanasit e kanë përkrahur në tërësi zhvendosjen e “Partizanit të Plagosur” sepse, siç e ka shpjeguar Lidhja e Historianëve “Ali Hadri”, 16 nëntori nuk është ditë e çlirimit për shqiptarët, por ditë e ripushtimit, ku mbi 8 mijë njerëz janë masakruar nga ajo ideologji, e cila ka qenë kundër shqiptarëve”, tha Haziri.

Haziri tha se përmendorja nuk është zhvendosur nga ai, por nga heroi Idriz Seferi dhe mijëra kryengritës shqiptarë.

“Unë nuk e kam zhvendosur atë përmendore, por është kreshniku i Karadakut, Idriz Seferi dhe mijëra kryengritës shqiptarë të cilët e kanë zhvendosur sepse me sakrificën e tyre, nuk kanë mund ta durojnë që të qëndroj në atë vend të shenjtë. Duhet ta ritheksojmë se ka qenë Mulla Idriz Gjilani, i cili është kryengritur kundër ideologjisë partizane, kufoma e të cilit është djegur po nga ata”, ka shtuar Haziri.

Në fund, kryetari Haziri tha se Gjilani është qytet që nuk e ua ka ndërruar emrat e rrugëve dhe shkollave siç bie fjala për Zenel Hajdinin, Musa Zajmin, Abaz Ajetin, Fetah Qerimin e Nazim Hikmet.

“Ndërkaq, për ata që duan të bëjnë homazhe e ta nderojnë Luftën Nacional Çlirimtare të partizanëve, Komuna e Gjilanit e ka vendosur datën 16 nëntor dhe këtë mund ta bëjnë para “Partizanit të Plagosur”, ka përfunduar kryetari Lutfi Haziri. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat