VV e nis nga Gjilani mobilizimin kundër Hashim Thaçit - Bota Sot
VV e nis nga Gjilani mobilizimin kundër Hashim Thaçit

Gjilani

VV e nis nga Gjilani mobilizimin kundër Hashim Thaçit

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 10:48
Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi për media, tregon se e ka nisur nga Gjilani turin e tubimeve mobilizuese në mbrojtje të sovranitetit dhe kundër ndarjes së Kosovës.

Sipas njoftimit të kësaj partie, përkrah kryetarit Albin Kurti, deputetit Shemsi Syla dhe asambleistes Arjeta Rexhepi, tubimin e hapi kryetari i Qendrës së VV-së në Gjilan, Nevzad Isufi “duke akuzuar presidentin Thaçi se është bërë figura më përçarëse në politikë e cila tani po tenton ta përçajë edhe territorin e vendit”.

Sipas njoftimit, në vazhdim, Isufi përmendi problemet e shkaktuara nga decentralizimi në komunën e Anamoravës dhe diskriminimin e vazhdueshëm të shqiptarëve në luginën e Preshevës.

“Edhe një zyrë e hapur për adresimin e problemeve të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është mbyllur pa shpjegim nga kryetari i komunës Lufti Haziri”, thuhet në njoftim.

“Politikanët lokalë dhe qendrorë nuk kanë mundur t’i zgjidhin as këto çeshtje të vogla, prandaj është iluzore të mendosh se ata do të zgjidhin çeshtje më të mëdha si veriun e Kosovës dhe bashkimin e Kosovës Lindore”, përfundoi Isufi.

Në komunikatën e VV-së, thuhet se deputeti Shemsi Syla shprehu gatishmërinë dhe organizimin e plotë të Lëvizjes dhe atë popullor për mobilizim total në çdo shtëpi, fshat, lagje e qytet. Syla u shpreh se, “kjo rini dhe Lëvizja Vetëvendosje është ushtria e këtij populli, assesi të mos mendojë kush se nuk ka kush i del zot këtij vendi”.

Asambleistja Arjeta Rexhepi, njëherazi pjesë e sekretariatit të gruas brenda Lëvizjes, shprehu entuziasmin për praninë e grave në tubim dhe gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në këto procese politike dhe për të mbështetur në çdo hap protestat në mbrojtje të Republikës.

Në fjalën e fundit, kryetari Albin Kurti tha se 10 vite pas fillimit të procesit të decentralizimit, i cili e ka gjymtuar Kosovën dhe Anamoravën, do duhej bërë një vlerësim i këtij gjymtimi dhe jo t’i shtohet një lojë e rrezikshme me një aventurë personale të Thaçit, e cila po i shkon përshtat aspiratave shoviniste të Beogradit.

Duke vënë në dijeni qytetarët për vendimin e Kryesisë së Lëvizjes për organizimin e protestave masive dhe koordinimin me LDK-n, Kurti tha se “ka ardhur koha që qytetari i Kosovës të ngrihet në skenën politike, ku është braktisur nga ata që duhet t’ia mbronin dhe përfaqësonin interesat”.

Në vazhdim përsëriti qëndrimin e panegociueshëm të Lëvizjes se presidenti nuk mundet të shkojë në dialog pa parime dhe mandat; se aventurat personale të Thaçit nuk mund të lejohen të bëhen kompromise të dhimbshme për Kosovën; se sa më shumë i rrezikohet karriera Thaçit, aq më shumë e rrezikon ai Kosovën; dhe se ideja e tij për korrigjimin e kufijve ka relativizuar atë që është e parelativizueshme, pavarësinë dhe integritetin e Kosovës.

Kurti e përmblodhi qëndrimin e Lëvizjes duke shpjeguar se bisedimet me Serbinë do të duhej të nisnin me kërkesën për njohjen e pavarësisë, pagimin e reperacioneve për dëmet e luftës dhe garantimin e reciprocitetit të të drejtave. “Çfarë kanë për të drejta serbët në Kosovë duhet t’i kenë edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, por jo vetëm”, u shpreh në mbyllje të fjalës së tij kryetari i Vetëvendosjes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...