Komuna e Gjilanit ka dështuar në rritjen e investimeve kapitale

Gjilani

Komuna e Gjilanit ka dështuar në rritjen e investimeve kapitale

Nga: Fikri Mehmeti Më: 17 tetor 2018 Në ora: 13:42
Fikri Mehmeti

Komuna e Gjilanit në 10 vitet e fundit më shumë i ka ngritur pagat (duke shuar drejtori e hapur dhe duke hapur shumë njësi për të punësuar më shumë njerëz), se sa investimet kapitale. Edhe pse po mundohen ti hedhin hi syve qytetarëve me disa grante nga 200 mijë, 80 mijë euro, qytetarët po e prekin,po e shohin dhe po e jetojnë keqmenaxhimin e buxhetit.Qytetarëve po iu mungojnë trotuaret, rrugët e shtruara me asfalt, kanalizimet dhe ujësjellsi, ndriçimi dhe projekte të reja. Derisa dikush po krenohet me një ndarje prej 5 milion euro për investime kapitale, hiç më larg se komuna e Ferizajit nga viti 2016 çdo vit ka realizuar mbi 9 milion euro investime kapitale, dhe në buxhetin për vitin 2019 ka të planifikuara 10 milion euro investime,me buxhetin e përgjithshëm prej 30 milion eurove.

Komuna e Gjilanit ka dështuar në ngritjen e investimeve kapitale dhe projekteve të reja në dhjetë vitet e fundit. Menaxhimi i dobët i buxhetit në dy mandate qeverisëse ka bërë që të jemi shumë mbrapa krahas komunave tjera të mëdha, dhe projekteve të reja, të cilat që nga viti 2010-të, kanë ngritje të mëdha në investime kapitale. Krejt kjo prapambetje në investime kapitale është nga menaxhimi i dobët me buxhetin nga qeveria aktuale. Që nga viti 2010-të, kur ka qenë investimi më i madhë kapital me 7,126,451 €, nga buxheti i përgjithshëm, asnjëherë më nuk është kaluar ky buxhet në investime kapitale.

Do të e bëjmë një krahasim se si i është dhënë përparësi ngritjes së pagave, dhe jo investimeve kapitale.

Në vitin 2010-të buxheti i përgjithshëm i komunës ka qenë 19,236,440 €, ndërsa investime kapitale ka pasur 7,126,451 €.
Në vitin 2016-2018-të, buxheti i përgjithshëm ishte 21,288,222.00 €, ndërsa investime kapitale ka pasur: 3,365,809.00 €, që do të thotë se investime kapitale në vitin 2016-2018 ka pasur më pak se në vitin 2010-të.

Në vitin 2010-të, nga buxheti i përgjithshëm 19,236,440 €,paga janë ndarë: 8,601,906.00 €. Ndërsa në vitin 2018-të, nga buxheti 21,288,222.00 €, paga janë ndarë: 14,286,213.00 €.

Pagat janë rritur së paku 3 herë nga 25% nga viti 2010-të, ndërsa vëllimi i buxhetit vetëm 10%.

Buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin fiskal 2019-të, sipas qarkores buxhetore, do të jetë 25.508.785 euro.

15.436.123 € apo 60 % do të shkoje për paga, ndërsa 5.082.228 € apo 19,92% – për investime kapitale.

Ne vlersojmë se krejt kjo rritje e pagave ka shkuar në dëm të investimeve kapitale sepse, kategoritë tjera pak ose aspak nuk janë tkurrur (mallërat e shërbimet, shërbimet komunale, subvencionet). Njëherit vlerësojmë se pak janë 5 milion euro për investime kapitale për Gjilanin si komunë e madhe, për arsye se shumica e tyre harxhohen në mirëmbajtje të infrastrukturës fizike të saj (shkollat, ambulantat, rruget, gjelbrimi, ndriçimi) e pak mbesin për projekte të reja.

Ne jemi të vetdishëm se komunat janë të cënuara me buxhet, sepse formula për ndarjen e granteve janë të vjetruara, dhe nuk i joshin kërkesat aktuale zhvillimore të tyre. Por zgjidhja e kësaj do të ishte nëse formulen e ndërron qeveria me insistimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Dhe ashtu si komuna jonë, edhe komunat tjera trajtohen ballafaqohen me këtë formulë të ndarjes së buxhetit.

Për të treguar se komuna e Gjilanit ka pasur vetëm regres dhe jo progres në planifikim buxhetor dhe investime kapitale, po e marrim shembull një komunë e cila është e afërt me të, si për nga sipërfaqja territoriale, ashtu edhe për nga numri i banorëve.

Komuna e Ferizajit, për vitin 2016-të, buxhetin e përgjithshëm e ka pasur 23.880.179 €, ndërsa investime kapitale 9.895.349 €, dhe që nga viti 2013-të, pavarsisht buxhetit të përgjithshëm investime kapitale ka pasur mbi 9 milion €. Ndërsa komuna e Gjilanit, me 25.508.785 € buxhet, investime kapitale do të ketë vetëm 5.082.228 € për vitin 2019-të, dhe ky buxhet më shumë do të shpenzohet në ''harnime'' e mirëmbajtje se sa në investime të projekteve të reja. Për të mos e përrmendur faktin se komuna e Ferizajit buxhetin për vitin 2019-të do ta ketë 30,934,846.00 €, ndërsa investime kapitale do të ketë: 10,005,732.00 €. E kjo do të thotë se jemi disa vite mbrapa komunës së Ferizajit. Krejt kjo falë keqmenaxhimit dhe planifikimit jo të mirë të buxhetit. Fikri Mehmeti - Sekretar. Alternativa dega Gjilan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat