Pronari i agjencionit turistik pranon mashtrimin e klientëve me bileta në Gjilan - Bota Sot
Pronari i agjencionit turistik pranon mashtrimin e klientëve me bileta në Gjilan

Gjilani

Pronari i agjencionit turistik pranon mashtrimin e klientëve me bileta në Gjilan

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 20:15
Granit Leka nga Gjilani, pranoi fajësinë në Gjykatën e Gjilanit

I akuzuari për mashtrim të biletave të udhëtimit, Granit Leka nga Gjilani, pranoi fajësinë në Gjykatën e Gjilanit.

“E pranoj fajësinë për veprën penale e cila më vihet në ngarkesë”, deklaroi Graniti para gjykatës të premten.

Sipas prokurorisë, i pandehuri Granit Leka në kohë të papërcaktuar deri në fillim të muajit gusht të vitit 2018, në Gjilan, si pronar i një agjensionit turistik, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka mashtruar 50 (pesëdhjetë) klientë, duke u ofruar bileta fiktive për pushime në Turqi, me të cilat nuk kanë pasur mundësi të udhëtonin.

Aktakuza thotë se me këto veprime, i akuzuari Leka ka kryer veprën penale të mashtrimit duke u shkaktuar të dëmtuarve dëm material në vlerë prej 123,859.00 euro.

Pas këtij deklarimi gjyqtari  i vetëm gjykues Sabedin Mushica, mori aktvendim me të cilën e aprovojë pranimin e fajësisë për këtë vepër penale.

Prokurorja e rastit Bahtie Ademi në fjalën e saj i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe me rastin e përcaktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit t’i vlerësojë të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Po ashtu, ajo propozoi që gjykata ta obligojë të akuzuarin që të gjithë të dëmtuarve t’ua kthejë shumën e të hollave për të cilat i ka mashtruar. Si dënim plotësues, prokurorja propozoi gjykatës që t’ia shqiptojë dënimin mbi ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.

Të gjithë të dëmtuarit nga kjo vepër penale e mbështetën fjalën e Prokurores Bahtije Ademi, duke theksuar se i bashkëngjiten ndjekjes penale edhe kërkuan kthimin e të hollave të humbura.

Në fjalën e tij, avokati i të pandehurit, Afrim Salihu, kërkoi nga gjykata që të mirëkuptohet kërkesa e tij që ndaj të pandehurit në fjalë “të shqiptohet një dënim sa ma i butë,  që të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe që gjykata t’ia shqiptojë një dënim sa ma të ulët, i cili të mos ndikojë negativisht në personalitetin e tij…”.

“Kërkoj nga gjykata që Granitit t’ia jepni një mundësi që në të ardhmen me punën e tij ta riparojë dëmin fillimisht palëve të dëmtuara dhe të jetë i dobishëm për shoqërinë tonë, mirëpo nëse i njëjti mbetet në burgim atëherë mundësia për kompensim do të jetë e vështirë, për arsye se nuk ka mundësi fizike”, tha avokati Afrim Salihu.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor u paraqit një dëshmitar me incialet I.Z, i cili e njoftoi gjykatën se nuk ka të bëjë ai me këtë çështje juridiko penale, duke treguar se në fshatin e tij në Komoran jeton edhe një person tjetër me emër të njëjtë por që emrat e prindërve i kanë të ndryshëm.

Seanca e radhës do të mbahet më 22 dhjetor kur pritet të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...