Brenda 10-15 viteve Kosova do të ketë 50 përqind të sipërfaqes së saj me pyje

Gjilani

Brenda 10-15 viteve Kosova do të ketë 50 përqind të sipërfaqes së saj me pyje

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 11:19
Gjilan

Kosova deri më tani ka 45 përqind të sipërfaqes së saj të mbuluar me pyje dhe brenda 10 deri në 15 vite kjo sipërfaqe mund të arrihet në 50 përqind.

Kështu është thënë nga zyrtarë të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, gjatë aksionit për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura ne fshatin Llashticë të Komunës së Gjilanit.

Në ketë aksion ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se Kosova ka nevojë për pyllëzime dhe për një ambient më të mirë.

Veseli: Ta ruajmë ambientin, jo ta shkatërrojmë

 "Është shumë inkurajuese mbjellja e këtyre fidanëve të pishave për vetë faktin e ndikimit të tyre që e kanë në ambientin tonë, jetën tonë të përditshme. Kosova në raport me vendet e Bashkimit Evropian ka një situatë të mirë me pyje, por ajo çka na shqetëson të gjithëve është shikoni pjesa e ambientit, është diçka e cila është e papranueshme për vetë identitetin tonë hedhja e mbeturinave inerte dhe organike vend e pavend. Një apel, të paktën, po më vjen rëndë ta them po hedhja e mbeturinave inerte të mos bëhet në një hektar çdo 100 metër. Të paktën të mundohen ta hedhin edhe pse është e papranueshme edhe kjo hedhje e cila po ndodh, po jo ta shkatërrojnë të gjithë ambientin. Duhet të bëjmë edhe më shumë, por duhet të bëjnë edhe institucionet edhe qytetarët ta ruajmë jetën tonë", tha Veseli

 Kurse, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, ka thënë se  këtë vit kanë planifikuar që t’i pyllëzojnë mbi 300 hektarë sipërfaqe të reja.

 Zejnullahu: Kemi planifikuar që t’i pyllëzojmë mbi 300 hektarë

"Agjencia e Pyjeve të Kosovës këtë vit ka planifikuar mbi 300 hektarë sipërfaqe të reja t'i pyllëzojë. Ndërsa, këtu ku jemi ndodhemi në një sipërfaqe e cila është pyllëzuar vitet e mëparshme, do të thotë tri vite radhazi. Janë 20 hektarë që janë pyllëzuar në vitin 2012, ndërsa vitin e kaluar edhe 20 hektarë të tjerë. Tash kemi përpara vetës edhe 2 hektarë në mënyrë që të kompletohet kjo sipërfaqe me fidanë të reja. Përndryshe, Agjencia e Pyjeve të Kosovës për çdo vit ka një plan vjetor të pyllëzojë 400 deri në 500 hektarë brenda vitit dhe me siguri se vitet e ardhshme këto sipërfaqe do të shtohen edhe më shumë... Tani për tani jemi 45 përqind të sipërfaqeve të përgjithshme në Kosovë janë të mbuluara me pyje, ndërsa shumë afër jemi të arrijmë qëllimin prej 50 përqind që Kosovë t'i ketë mbulueshmëri pyjore. Kjo mund të arrihet me siguri brenda 10 deri në 15 vite", tha ai.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, së bashku më zyrtarët e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës kanë mbjellë  fidanë të pishave në Llashticë të Gjilanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat