Nutricistja Ajshe Leka është fituese e çmimit për letërsi shkencore në SHBA - Bota Sot
Nutricistja Ajshe Leka është fituese e çmimit për letërsi shkencore në SHBA

Gjilani

Nutricistja Ajshe Leka është fituese e çmimit për letërsi shkencore në SHBA

Nga: I.MUSLIU Më: 31 tetor 2018 Në ora: 08:41
Ajshe Leka

Nutricistes nga Gjilani, Ajshe Leka i është dhënë çmimi “Betim Muço”, që ndahet për letërsi shkencore në dobi të njeriut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Publicistika e saj shkencore është vlerësuar e dobishme për njerëzimin, nga një juri e revistës “Kuvendi” që botohet në SHBA.

Ajshe Leka ka filluar të merret me nutricion dhe dietologji para një viti dhe brenda një kohe kaq të shkurtër ka arritur të vlerësohet e shpërblehet për punën e saj, të cilën e ka publikuar nëpër revista e media elektronike gjithandej, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Angli e deri në SHBA, ku edhe i është dhënë shpërblimi “Betim Muço”.

Leka aktualisht është në përfundim të librit të saj të parë për nutricion dhe dietologji, e vetëdijshme se lexuesit shqiptar i mungojnë informacionet e duhura për rëndësinë që ka të ushqyerit e drejtë në jetën e njeriut. Këshillat e saj janë vlerësuar shumë profesionale dhe të dobishme për njerëzimin, i cili gjithandej botës e sidomos në Kosovë, po vuan nga kequshqyerja.     

Ajo thotë se kequshqyerja është bërë sot shkaktari kryesor i sëmundjeve të ndryshme si dhe vdekjeve të parakohshme, gjithandej botës. Nga ky rrezik kërcënohen të gjithë ata që nuk dinë si të ushqehen. 

“Ushqimi i duhur është parakusht për një jetë të shëndetshme. Ata që nuk dinë të ushqehen, nuk mund të bëjnë jetë të shëndetshme”, thotë dietologia Leka.

Nutricistja kërkon kujdes më të madh në të ushqyerit, duke nënvizuar faktin se shëndeti është pasuria më e madhe që kemi.

“Mënyra e të ushqyerit përcakton në masë të madhe cilësinë e jetës”, thotë Leka, duke sugjeruar që të përvetësohen shprehitë e reja dhe të shëndetshme të të ushqyerit, për të shpëtuar nga sëmundjet e ndryshme dhe vdekjet e parakohshme.

Ajshe Leka është e lindur në Gjilan, më 1971, ku edhe ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm (Mjekësi). Studimet universitare të ciklit të parë i kreu në Fakultetin e Infermierisë si dhe studimet universitare të ciklit të dytë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore – Master profesional në shëndet publik dhe menaxhim spitalor, master i shkencave në menaxhim në shëndet publik, i kreu në Tiranë.

Është certifikuar në programin për Nutricion dhe Dietologji, në Prishtinë dhe është shumë aktive me shkrime në këtë lëm.

Sa i përket çmimit, Ajshe Leka thotë se ndihet e nderuar dhe privilegjuar që shkrimet e saj janë vlerësuar në Konkursin e Ditëve të Letërsisë, për vitin 2018, edhe përtej oqeanit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një juri kompetente dhe shumë prestigjioze e revistës “Kuvendi”.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera