Pranon fajin për goditjen e këmbësorit me veturë, gjobitet me 1800 euro

Gjilani

Pranon fajin për goditjen e këmbësorit me veturë, gjobitet me 1800 euro

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 23:53
Ilustrim

Bajram Shala nga Gjilani u gjobit me 1800 euro nga Gjykata Themelore në Gjilan për veprën penale rrezikim i trafikut publik. Ky dënim iu shqiptua nga gjyqtari Veli Kryeziu, pasi u bë leximi i aktakuzës dhe pasiqë i pandehuri Bajram Shala e pranoi fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej.

Ky pranim i fajësisë i bërë në fillim të procesit gjyqësor u pranua nga gjyqtari i çështjes i cili ftoi palët që të paraqesin fjalët përfundimtare të tyre.

Prokurorja e shtetit Kujtesa Fazliu në seancë deklaroi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës që i vihet në barrë të pandehurit Bajram Shala, ndërsa i kërkoi gjykatës që t’i marrë parasysh rrethanat lehtësues dhe rënduese si t’i shqiptojë si dënim plotësues marrjen e lejes së vozitjes.

Pas kësaj i pandehuri Bajram Shala deklaroi se e ndien vetën fajtor, se pendohet thellë për këtë vepër që tha se e kishte bërë nga pakujdesia dhe i premtoi gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsëritë vepra të tilla.

Shala i kërkoi falje të dëmtuarit Emrush Musliut dhe familjarëve të tij, duke  i kërkuar gjykatës që t’ia shqiptojë një dënim sa më të butë.

Ndërsa i dëmtuari Emrush Musliu deklaroi se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale e as nuk kërkon kompensim dëmi nga i akuzuari në fjalë, duke sqaruar se ia lë gjyqit që të vendosë lidhur me fajësinë dhe dënimin e të akuzuarit.

Mbrojtësi i të dëmtuarit Emrush Musliu, avokati Rrustem Latifaj, deklaroi se e mbështetë fjalën e prokurores së shtetit duke kërkuar nga gjykata që mbrojtësit të tij t’i shqiptohet dënim konform dispozitave ligjore, për faktin se klienti i tij ka pësuar dëmtime të rënda trupore gjë që dëshmohet nga ekspertiza mjeko-ligjore, shkruan kallxo.

Pas një pauze, gjyqtari i vetëm gjykues Veli Kryeziu, komunikoi vendimin duke treguar se i pandehuri Bajram Shala dënohet me burgim efektiv prej 120 ditëve, me mundësi të zëvendësimit me gjobë, si dhe i merret leja e vozitjes si dënim plotësues në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Bajram Shala i kërkoi gjykatësit që dënimin e tillë me burgim t’ia zëvëndësojë me gjobë. Kërkesa e tillë u aprovua nga gjyqtari Veli Kryeziu i cili kohën e burgut ia zëvendësoi me gjobë në shumë prej 1800 eurove, të cilin i pandehuri do ta paguajë pas plotëfuqishmërisë së këtij vendimi.

Në aktakuzën e prokurorisë, përfaqësuar nga prokurorja Kujtesa Fazliu thuhet se Bajram Shala ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik sepse më 5.08.2018, përballë restorant “Paris” në Gjilan, duke drejtuar automjetin e markës ‘Skoda’ ka rrezikuar trafikun publik, duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre.

Sipas prokurorisë, Shala duke mos përshtatur shpejtësinë e automjetit të tij dhe kushteve të rrugës, nga pakujdesia me pjesën e përparme të anës së djathtë e kishte goditur këmbësorin Emrush Musliu duke i shkaktuar lëndime trupore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat