USAID ndihmon zyrën e Prokurimit në Gjilan me një këshilltar

Gjilani

USAID ndihmon zyrën e Prokurimit në Gjilan me një këshilltar

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 20:56
Komuna e Gjilanit

USAID e ka mbështetur Komunën e Gjilanit më një këshilltar profesional për planin e prokurimit për vitin 2019.

“Komuna e Gjilanit e mbështetur edhe nga USAID, programi TEAM, kanë punuar së bashku edhe me bordin e drejtorëve dhe menaxherët e zyrave në hartimin e planit të prokurimit për vitin 2019, i cili pas plotësimeve përfundimtare do të publikohet për të marrë edhe inpute nga shoqëria civile”, është thënë në njoftimin e Komunës.

Sipas këtij njoftimi, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se ky hartim i Planit të Prokurimit është bërë në raport me buxhetin e miratuar të Komunës së Gjilanit për vitin 2019 dhe në të parashihen të gjitha aktivitetet e prokurimit që do të iniciohen gjatë vitit 2019.

“Ky planifikim është detajuar në afro 130 specifikacione të ndryshme, në mënyrë që viti 2019 të jetë një vit me dinamikë të fuqishme të planifikimit, me monitorim të vazhdueshëm dhe me mbikëqyrje të detajuar të kontratave në harmoni me ligjin dhe duke zënë të gjitha afatet ligjore nga fusha e prokurimit. Investimet kapitale, mirëmbajtja dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve, janë vetëm disa nga pikat që duhet të iniciohen, duke mos lënë asnjë nga pikat e përfshira në këtë plan të prokurimit pa i dhënë trajtimin maksimal”, ka thënë Haziri, shkruan kallxo.

Në lidhje me problemet për prokurim, Auditori i Përgjithshëm kishte gjetur se kjo komunë ka shumë parregullsi.

Sipas raportit të Auditorit, janë gjetur shkelje në të gjitha fazat e prokurimit, që nga planifikimi e deri te nënshkrimi i kontratës që nga viti 2014 deri në vitin 2017.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) ka organizuar debat rreth zbatimit të rekomandimeve të Auditorit nga Komuna e Gjilanit, me ç’rast kryetari Lutfi Haziri ka thënë se problemet e prokurimit janë për shkak se ka mungesë të stafit në zyrën e Prokurimit.

“Tek prokurimi dhe tek menaxhimi i kontratave që e dallon komunën e Gjilanit prej tjerave, sepse qe 2 vite jemi në një aktakuzë për krim të organizuar i cili ka marrë me vete edhe 32 punëtor që janë kryesisht zyra e prokurimit, urbanizmit dhe për këtë është deshtë me u mbulu më shërbime profesionale”, kishte thënë Haziri në këtë debat duke u zotuar se do të fokusohet në ngritjen e kapaciteteve karshi kësaj zyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat