Federatat e Minigolfit dhe Golfit vazhdojnë me aktivitete edhe në vitin 2020

Golf

Federatat e Minigolfit dhe Golfit vazhdojnë me aktivitete edhe në vitin 2020

Më: 21 janar 2020 Në ora: 15:31
Lavdim Zylfiu

Golfi dhe Minigolfi janë dy sporte të cilat janë shumë pak të popullarizuara në Kosovë. Kjo për arsye si të infrastrukturës sportive ashtu edhe për mungesën e mjeteve financiare për të organizuar një garë në sporte të tilla.

Kryetari i Federatës së Minigolfit të Kosovës, Lavdim Zylfiu në një intervistë foli për aktivitetet e kësaj Federate, si dhe për problemet që nga viti 2010, atëherë edhe kur kjo Federatë është themeluar.

Megjithatë, me gjithë problemet e shumta, Zylfiu potencoi se sportistët kanë arritur një mori suksesesh në arenën ndërkombëtare.

Zylfiu: Kemi korrur një mori suksesesh

“Kosova realisht këtë vit futet në vitin e 10-të, në dekadën e parë të veprimtarisë së saj në sportin e Minigolfit, konkretisht Federata jonë e Minigolfit të Kosovës. Qysh para 10 viteve është hapur fusha e minigolfit në Kosovë dhe të njëjtin vit pas ca muajsh është marrë iniciativa për të themeluar edhe Federata e Minigolfit të Kosovës e cila është themeluar në vitin 2010 dhe që nga ajo kohë nëse e kthejmë kokën prapa për të shikuar veprimtarinë tonë i kemi një sërë suksesesh, dhjetëra medalje ndërkombëtare të fituara, duke përfshirë të gjitha kategoritë”, tha fillimisht Zylfiu.

Sa i përket mbështetjes nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Zylfiu u shpreh se kjo mbështetje është minimale si dhe shpreson që nga viti i ardhshëm MKRS ti jap një shumë më të madhe parash.

Zylfiu: Kemi një mbështetje minimale nga shtetit

“Fatkeqësisht ne kemi një mbështetje minimale të quaj ashtu nga shteti apo nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në vitin e kaluar jemi radhitur si të fundit në tabelë edhe këtë vit akoma nuk ka dalur vlerësim publik. Besoj që do të bëhet në fund të këtij muajit. Nuk e di kemi punuar mjaftë shumë vitin e kaluar që të mos mbesim në fund sikur para kësaj here, ose në fund të fundit në rast se mbetemi në fund që të na jepet një shumë e parave më e madhe në mënyrë që ti kalojmë disa pengesa”, shtoi ai.

Ndërkaq, Zylfiu foli edhe rreth Federatës së Golfit të Kosovës, aty ku mban detyrën e sekretarit të përgjithshëm. Ndër tjerash ai u shpreh se kjo Federatë detyrohet ti zhvillojë aktivitet e saj jashtë shtetit për shkak të mungesës së një fushe adekuate për këtë sport në Kosovë.

Zylfiu: Detyrohemi aktivitetet ti zhvillojmë jashtë shtetit

“Federata e Golfit e Kosovës aktivitetet e saj, detyrohet që ti zhvillojë jashtë kufirit të Kosovës, për arsye se brenda kufirit nuk kemi fushë të golfit. Në fakt në rajon vetëm shteti ynë fqinjë Serbia ka, nuk kanë as shtetet tjera. Fatmirësisht fondi i lojtarëve të Federatës së Golfit të Kosovës është një fond jashtëzakonisht i madh dhe kur them kështu aludoj gjithnjë në diasporën tonë shumë të çmuar, pra shumica absolute ose më mirë të them të gjithë lojtarët tanë, përpos dy tre sosh që jetojmë në Prishtinë, gjithë të tjerët jetojnë në Evropë. Ata merren me lojën e golfit. Kosova aktualisht numëron dhjetëra-dhjetëra lojtar, në mesin e tyre edhe lojtare femra. Po e rrumbullakojë që i kemi së paku pesë lojtar profesional, ose tre lojtarë dhe dy lojtare”, vazhdoi Zylfiu.

Në fund, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Golfit u bëri të ditur aktivitet të cilat janë organizuar më parë nga kjo Federatë, janë organizuar me ndihmën e sportistëve të cilët kanë pranuar që të financojnë mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve.

Zylfiu: Aktivitet i kemi organizuar me vet financim nga sportistët

“Aktivitetet e Federatës së Golfit që janë bërë këto dy vitet e fundit, fillimisht mbledhja e parë që ishte në vitin 2017 dhe pastaj mbledhja e dytë që ishte në vitin 2018 edhe më e madhe dhe garë zyrtare, secili lojtar dhe secili individ qofshin ata brenda Gjermanisë ose jashtë Gjermanisë që kanë ardhur nga Austria, Zvicra, Holanda ose vende tjera. Të gjitha këto shpenzime pra janë bërë me vet financim, vetëm e vetëm nga dëshira që të mblidhemi dhe ta krijomë këtë Federatë ta vëmë bazamentin mbi të gjitha për gjenerata e ardhshme të Kosovës, dhe marrë parasysh nivelin se çka nënkupton golfi si sport të gjithë lojtarët kanë pranuar”, deklaroi ai.

Kujtojmë që Zylfiu gjithashtu bëri me dije se këto dy Federata do të vazhdojnë me aktivitet të shumta edhe në vitin 2020, ndërsa të Premten do ta mbajnë konferencën për media për aktivitetin e tyre i cili do të mbahet gjatë muajit maj në shtetin e Gjermanisë, ku do të marrin pjesë sportistë nga mbarë Evropa.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat