Krahu i Afrim Gashit në Lëvizjen BESA u riemërua në “AlternAtivA”

Gostivari

Krahu i Afrim Gashit në Lëvizjen BESA u riemërua në “AlternAtivA”

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 14:45
AlternAtivA

Kuvendi Qendror i krahut të Afrim Gashit në Lëvizjes BESA ka vendosur që të shkëputet dhe ta riemërojë partinë në  “AlternAtivA” për arsye që siç thonë ata të mos mbeten ende peng kontestit juridik për pronësinë e partisë.

“Kuvendi Qendror e autorizoi Sekretarin e Përgjithshëm që ta organizojë përpjekjen për betejën e mëtejme juridike deri në arritjen e plotë të drejtësisë. Kuvendi Qendror vendosi që organizata politike Autoktone, Autonome dhe Autentike, e cila është pranë autorëve të saj burimorë dhe pronarëve të saj ideorë, ideologjikë dhe legjitimë, tash e tutje të quhet AlternAtivA, duke u shkëputur kështu nga kurthi në të cilin kanë dashur ta fusin kundërshtarët e saj politikë dhe argatët e tyre. Në këtë mënyrë AlternAtivA do të vazhdojë ta ndjekë kursin e saj tradicional politik, atë që e kanë ndërtuar projektuesit e saj, t’i përfaqësojë strukturat e saj besnike dhe të vazhdojë ta bëjë betejën për vlerat në të cilat ajo beson dhe për të cilat angazhohet, tha sekretari i partisë, Skender Rexhepi – Zejdi.

Sipas tyre, kontesti gjyqësor për çështjen e pronësisë së partisë do të vazhdojë, por thonë se ka forca politike që ndikojnë në këtë proces.

“Ashtu siç u njoftua opinioni, gjykatësi i njëjtë, në gjykatën e njëjtë dhe për lëndën e njëjtë i merr dy vendime të ndryshme në data të ndryshme, që flet se në vendin tonë ka ende forca politike që vazhdojnë të ndërhyjnë brutalisht në institucionet e drejtësisë. Pa dashur të ndërhyjmë në motivet se pse ato forca politike kanë kaq interes që ta ndihmojnë dhe favorizojë një grup që është konstatuar si falsifikues i dokumentacionit të Lëvizjes BESA, Kuvendi Qendror, njëzëri, mori vendim që: Kërkimi i drejtësisë të vazhdojë në instanca të tjera derisa drejtësia të vendoset plotësisht dhe mashtruesit ta marrin ndëshkimin e merituar”, thonë nga AlternAtivA.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat